Lajme

Liburn Aliu shkon në Leposaviq, protestuesit e gjuajnë me vezë dhe ngjyrë të kuqe


Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka vizituar kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin i cili po qëndron qe 16 ditë brenda objektit të komunës.

Por, serbët e mbledhur para komunës kanë hedhur bojë të kuqe dhe vezë në drejtim të xhipit të ministrit, i cili më pas është larguar i shoqëruar nga njësitë policore.

Ndryshe, tri ditë më parë Aliu, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka mohuar në mënyrë kategorike raportimet e mediave se Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, nuk e ka lejuar takimin me kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin.

Aliu duke i demantuar këto raportime, ka thënë se KFOR-i i ka ofruar siguri me një njësit të tyre, por ka qenë udhëzimi i Policisë së Kosovës që ka rekomanduar të mos vazhdoj më tutje me qëllim të shmangjes së tensionimit të situatës nga bandat kriminale.

“Lajmet se KFOR-i, më ka ndaluar që ta takoj Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, janë të pavërteta. Spekulimet e tilla, iu shkojnë për shtati vetëm bandave që janë të instaluara aty, njëherit këto lajme të pavërteta po ashtu po e zhvlerësojnë punën e palodhshme dhe profesionale që Policia e Kosovës po e bën atje. E falënderoj Kryetarin Lulzim Hetemi, për qëndresën e tij shembullore për Republikë, rend e ligj”, kishte shkruar ai në Facebook.

Edhe kryetari Hetemi, përmes një postimi në Facebook, ka mohuar raportimet e mediave se KFOR-i e ka urdhëruar që të largohet nga objekti i komunës.

Hetemi ka thënë se “lajmi i publikuar në portalin ‘Paparaci’ se mua më ka urdhëruar KFOR-i të largohem nga Komuna apo të më nxjerrin me forcë është totalisht i pavërtetë”.

Ndërkaq më 11 qershor, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, pati treguar se ka biseduar në telefon me kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin.

“E thirra kryetarin Lulzim Hetemin për të biseduar dhe isha i brengosur që mos është mërzitur në zyrë, ai ishte i brengosur mos isha i mërzitur unë. Unë i shqetësuar mos po lëshon pe ai, kryetari i shqetësuar mos po lëshoj pe unë, biseda ishte shumë e këndshme”, tha Kurti.

“Askujt nga ne nuk ia ka marr mendja që Lulzim Hetemi do bëhet kryetar i Leposaviqit. Mund të kemi menduar për të tjerët, por jo për Lulzim Hetemin, sepse vetëm me datën 21 prill u bë e qartë se atje nuk do ta kemi fituesin e sigurt Aleksandër Jabllanoviç-in”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore