Lajme

Libani dëbon anëtarët e grupit Al-Wefaq, që Bahreini i konsideron si terroristë


Ministri i Brendshëm libanez, Bassam Mawlawi

Ministri i Brendshëm libanez, Bassam Mawlawi, të mërkurën e 15 dhjetorit, urdhëroi dëbimin e anëtarëve të Al-Wefaq – parti politike shiite që vepron në mënyrë klandestine, pasi u urdhërua nga gjykata më e lartë në Bahrein për t’u shpërbërë dhe likuiduar.

Ky urdhër erdhi pasi disa prej anëtarëve mbajtën një konferencë shtypi në Bejrut, duke dëmtuar lidhjet e Libanit me Mbretërinë e Bahreinit.

Mawlawi, në një telefonatë me homologun e tij në Bahrein, Rashid bin Abdullah Al Khalifa, refuzoi që Libani të përdoret si një “platformë për përhapjen e urrejtjes ose armiqësisë” ndaj vendeve të Gjirit dhe atyre arabe.

Qeveria e Bahreinit ka denoncuar “promovimin e akuzave dashakeqe dhe dëmtimin e Mbretërisë së Bahreinit”.

Ministri i Brendshëm i Bahreinit, Sheikh Rashid bin Abdullah Al Khalifa, në një lidhje telefonike me Mawlavin, kishte folur rreth ngjarjeve që “dëmtojnë Libanin dhe popullin e tij”.

Grupi opozitar shiit Al-Wefaq u ndalua në Bahrein në vitin 2016.

Kjo ndodhi pasi Ministria e Drejtësisë e akuzoi për kërcënim të shtetit, përhapjen e sektarizmit dhe lidhjen e tij me “veprimtaritë terroriste”.

Një vit më pas, sekretari i Përgjithshëm i partisë, Ali Salman, u akuzua për bashkëpunim me Katarin për të kryer “akte armiqësore” në Bahrein.

Libani, që nga tetori i 2021-shit, është përfshirë në një mosmarrëveshje diplomatike me Arabinë Saudite, Bahreinin, Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ministri i Informacionit i Libanit, George Kordahi, në një intervistë të dhënë një muaj para emërimit të tij, tha se konflikti i zgjatur ishte “i kotë”. Ai bëri thirrje për t’i dhënë fund.

Disa shtete të Gjirit iu përgjigjën me shpejtësi vërejtjeve të Kordahi-t.

Flamuri grupit politik Al-Wefaq

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Bahreini kanë tërhequr të dërguarit e tyre nga Bejruti, si dhe Jemeni, duke dëbuar edhe ambasadorët libanezë.

Nga ana tjetër, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu u bënë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen nga Libani.

Arabia Saudite, ndërkohë, ka ndaluar të gjitha importet libaneze në mbretëri.

Kordahi dha dorëheqjen në fillim të këtij muaji, si një parakusht që presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite, të diskutonte rivendosjen e lidhjeve me Libanin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore