Lajme

“Lëreni Ukrainën sa më shpejt të jetë e mundur dhe kthehuni në shtëpi”


Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, u bëri thirrje urgjente të dielën qytetarëve izraelitë në Ukrainë që të “kthehen në shtëpi” para se të jetë tepër vonë.

“Ashtu si pjesa tjetër e botës, ne shpresojmë që tensioni të përfundojë pa një përshkallëzim”, tha ai në fillim të takimit javor të kabinetit në Jerusalem.

Sipas Bennett, përgjegjësia parësore e autoriteteve është kujdesja “për qytetarët tanë, qytetarët izraelitë”.

“Lëreni Ukrainën sa më shpejt të jetë e mundur dhe kthehuni në shtëpi”, ishte thirrja e kryeministrit izraelit.

Më herët, kryediplomati izraelit Yair Lapid mori pjesë në një vlerësim të situatës, së bashku me përfaqësues nga Ministria e Transportit, Ministria e Arsimit, Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit dhe Agjencia Hebraike.

Takimi u fokusua në planet diplomatike dhe konsullore të Izraelit për një sërë zhvillimesh në Ukrainë.

Lapid tha pas takimit se janë planifikuar 32 fluturime civile nga Ukraina në Izrael në javën e ardhshme, 10 prej tyre në 48 orët e ardhshme.

“Unë u bëj thirrje qytetarëve izraelitë të hipin në këto fluturime”, adresoi ministri i Jashtëm.

Zyrtarët izraelitë besojnë se dritarja për evakuimin e qytetarëve nga Ukraina po mbyllet shpejt dhe mund të mbyllet deri të mërkurën në mëngjes.

Linjat ajrore izraelite kanë filluar të rrisin fluturimet drejt Ukrainës për të ndihmuar evakuimin.

Linjat ajrore të Izrael-it “El Al”, “Israir” dhe “Arkia” po ofrojnë fluturime shpëtimi.

Ministria e Jashtme vlerëson se ka 10 mijë deri në 15 mijë izraelitë në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore