Sport

Leonardo: Mbappe dëshiron t’i bashkohet Real Madrid-it


Po vjen drejt fundit, dhe kjo konfirmohet tani edhe nga figura të larta të klubit parisien.

Drejtori sportiv i Paris Saint-Germain, Leonardo, ka zbuluar se Mbappe dëshiron largimin nga klubi pas katër vitesh.

Përkundër që gjatë gjithë verës PSG ishte e bindur që Mbappe nuk do të largohet, gjithçka ka ndryshuar në këto momente.

“Kylian Mbappe dëshiron t’i bashkohet Real Madrid-it”, thotë Leonardo.

“Ne nuk do ta ndalojmë, askush nuk qëndron në klub nëse nuk ka dëshirë”.

“I thamë jo ofertës së parë të Madrid-it. Mbappe do të largohet, por vetëm nëse kushtet tona pranohen”.

Ai thotë që “Mbappe gjithmonë na ka premtuar që nuk do të largohet si transfer i lirë”.

Kjo deklaratë e fundit do të thotë që PSG është e detyruar ta shesë futbollistin, pasi ai nuk dëshiron që të rinovojë kontratën me klubin.

“I bëmë dy oferta të mëdha Mbappe-s”, vazhdoi Leonardo, “gjithmonë dëshiruam t’i tregojmë se është qendra e projektit tonë”.

“Ne krijuam një ëndërr këtë verë, nuk do ta lëmë askënd që ta shkatërrojë atë”.

Sa i përket ofertës së parë, ai e konsideron të “papranueshme” dhe “ilegale”.

“Duket si një strategji e Real-it që t’i tregojnë Mbappe-s se e duan, ta marrin “jo”-në nga ne dhe të presin që vitin tjetër ta marrin me zero euro”.

“Oferta e Real-it është larg nga ajo çfarë ne dëshirojmë. Është më pak se çfarë paguajtëm ne në vitin 2017”.

Ai thotë që “nuk do të flasin me Real Madrid-in përsëri”.

“Afati i fundit është 31 gushti”.

“Mbappe nuk do të largohet për më pak se çfarë ne i paguajtëm Monaco-s, 180 milionë euro. Tani Real Madrid-i e ka në dorë”.

Në mënyrë që Real Madrid-i të sigurojë shërbimet e Mbappe-s, duket se oferta e tyre do të rritet me 20 milionë euro.

Kur kanë mbetur edhe pesë ditë deri në fund të merkatos, Kylian Mbappe është më afër Real Madrid-it se asnjëherë më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore