Sport

Leonardo: Le të ikë Mbappe, PSG e fiton Ligën e Kampionëve edhe pa të


Se Kylian Mbappe do të largohet këtë verë nga Paris Saint-Germain duket çështje e kryer, pasi që ylli francez i ka thënë klubit se nuk do ta rinovojë kontratën që i skadon në verën e vitit të ardhshëm.

Kështu, drejtuesit e klubit tashmë janë “dorëzuar” për ta mbajtur Mbappe-n në skaudër dhe këtë verë pritet të bëhet shitja e tij.

Largimin e Mbappe-s nga Parisi e komentoi edhe ish-drejtori sportiv i tyre, Leonardo, i cili tha se PSG-ja mund të fitojë edhe pa praninë e sulmuesit 24-vjeçar

“Për të mirën e PSG-së, mendoj se ka ardhur koha që Mbappe të largohet, pa marrë parasysh çfarë”, tha Leonardo në një intervistë për “L’Equipe”.

“Paris-Saint-Germain ka ekzistuar para Kylian Mbappe-s dhe do të ekzistojë pas tij. Ai ka qenë në Paris për gjashtë vjet dhe, gjatë këtyre gjashtë sezoneve, pesë klube të ndryshme kanë fituar Ligën e Kampionëve. Asnjëri prej këtyre klubeve nuk e kishte Mbappe-n në radhët e tyre. Kjo do të thotë se është plotësisht e mundur të fitosh këtë kompeticion pa të”, shtoi Leonardo.

Braziliani pati fjalë të mira për Mbappe-n si lojtar, por ai tha se francezit i mungon diçka tjetër.

“Me sjelljen e tij gjatë dy viteve të fundit, Mbappe po tregon se ai nuk është ende një lojtar i aftë për të udhëhequr me të vërtetë një ekip. Ai është një lojtar i madh, por jo një lider. Ai është një golashënues i shkëlqyer, por jo një krijues. Është e vështirë të ndërtosh një ekip rreth tij”, theksoi Leonardo.

Pra, Mbappe pritet të largohet në ditët në vazhdim, derisa ekipi favorit për ta transferuar atë është Real Madrid-i.

Gjithashtu mediat theksojnë se edhe Arsenal-i do të jetë në garë për transferimin e tij, por mbetet të shihet gjatë kësaj vere se cili do të jetë ekipi i ri i Mbappe-s.

Kujtojmë që francezi është pjesë e Parisit që nga vera e vitit 2018, kur ishte transferuar nga Monaco për shumën e 180 milionë eurove.

Ai në total ka luajtur në 260 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e PSG-së, prej të cilave ka shënuar 212 gola dhe ka dhuruar 98 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore