Shqipëria

Lehtësimi i jetës së shqiptarëve, ligji i luftës dhe e ardhmja evropiane – Cilat ishin mesazhet e Ramës në Athinë?


Kryeministri shqiptar, Edi Rama, zhvilloi një takim me mërgatën shqiptare në Athinë, ku mijëra emigrantë, të cilët jetojnë në vendin fqinj, u mblodhën për të dëgjuar reflektimin e kreut të qeverisë së atdheut të tyre, në një tubim ndër më të mëdhenjtë dhe më me interes të një lideri shqiptar jashtë vendit.

Ajo çfarë nisi në fillim si një frikë nga fqinjët se mund të kishte provokime në fjalimin e Ramës, sa i takon çështjes Beleri, rezultoi në fakt në një fytyrë krejtësisht të ndryshme dhe në një shtrirje dore për lidhjen e një fqinjësie, miqësie dhe vëllazërie më të fortë mes dy popujve.

Në vëmendje kryesore, ishin pa diskutim shqiptarët, me një sërë çështjesh, të cilat gjetën prioritet në fjalimin e kryeministrit.

Lejet e qëndrimit dhe pensionet

Është arritur të çelen negociatat për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë. E bëri me dije vetë Rama gjatë fjalimit në Athinë. Por problematikat mbeten.

Ndër to, janë edhe lejet e qëndrimit, për të cilat ai garantoi se Qeveria shqiptare po punon, duke njoftuar se tashmë është hapur dialogu me qeverinë greke duke u shprehur besimplotë se kjo problematike do të ketë një zgjidhje.

“Kemi arritur të çelim negociatat për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë”, këtë lajm kryeministri Rama e dha gjatë fjalës së tij në takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë. Kemi hapur dialogun për problematikën e lejes së qëndrimit”, përkufizoi Rama.

Po ashtu, ai premtoi edhe ngritjen e një dhome tregtie shqiptaro-greke, për të lehtësuar ndërlidhjet e bizneseve mes dy vendeve.

E vetmja gjë që pritet, është miratimi i palës greke, që puna e kësaj Dhome Tregtie të nisë dhe të japë efektet e pritura.

Ligji i luftës

Temë tejet e diskutuar mes vendeve është ligji i luftës, ende në fuqi nga pala e Greqisë, pavarësisht se dy vendet prej dekadash kanë firmosur marrëveshje miqësie dhe fqinjësie të mirë.

Kjo për Ramën, shfaqet si diçka paradoksale dhe absurde.

“Në vitin 1947 Greqia ratifikon traktatit e paqes me Italinë dhe gjendja e luftës mbaron. Ndërsa me Shqipërinë dekreti i gjendjes së luftës dhe për rrjedhoja pasojat e këtij ligji mbeten në fuqi sot e gjithë ditën. Megjithëse në vitin 1998 të dyja shtetet kanë miratuar traktatin e miqësisë. Si ka mundësi që dy vende janë bashkë në NATO, kanë nënshkruar traktatin e miqësisë të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë”.

Ka qenë ky reflektimi i bërë mbi situatën, teksa nuk ngurroi të tregonte se pret nga shteti helen që të japë një zgjidhje përfundimtare lidhur me këtë rrethanë, e cila nuk i pasqyron marrëdhëniet e mira mes dy shteteve.

E ardhmja evropiane dhe pusulla për homologun

Për kryeministrin Rama, emigrantët shqiptarë në Greqi janë edhe dëshmia më e madhe dhe më e fortë për ndërlidhjen mes miliona fijeve të pakëputshme të dy popujve.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se qytetarëve grekë të Shqipërisë nuk u është mohuar e drejta votës, apo zgjedhjes për shkak të origjinës tyre etnike.

Teksa, edhe kujtoi se ky kompleksitet raportesh, nuk duhet të mbytet në lugën e ujit që sjell përditshmëria politike.

Por përtej kësaj, synimi i qartë i Shqipërisë është ai i një fqinjësie të mirë dhe mbi të gjitha, i integrimit në bashkësinë evropiane, ku Athina ndodhet prej vitesh dhe e prin rajonin në këtë aspekt.

Rama e bën të qartë se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë, përveçse respektit.

Por, me një mesazh në formë pusulle për homologun grek, Mitsotakis, e reflekton se ka nevojë të shtyhet edhe më shumë drejt harmonisë rajonale.

Ia transmeton përmes fjalëve të poetit të Rilindjes, Naim Frashëri, të cilat duken si të jenë shkruar dje.

“I dashur Kyriakos, Naim Fashëri shkroi në Greqisht vjershën e tij, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”:

Duam me të gjithë fqinjët, sllavë e grekë, të jetojmë në harmoni, në vëllazëri, në rend e paqe të jetojmë.

Le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi.

Mjaftojnë vuajtjet e shumta dhe tiranitë që kemi kalur.

Është koha e mirëqenies, është koha e lirisë.

Shumë të fala nga unë shqiptarët e Greqisë.

“Rroftë Shqipëria dhe Evropa demokratike. Zoti i bekoftë shqiptarët”.

Kështu e përmbylli Rama fjalimin e tij, i cili edhe historik mund të quhet, duke u përulur përpara shqiptarëve të Greqisë, në takimin më të madh që një kryeministër shqiptar ka mbajtur në zemër të shtetit fqinj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore