Shqipëria

Le të niset një herë motivimi i fëmijëve nga prindërit


Kur përmbyllet viti shkollor, për rezultatet përherë është dikush që fajësohet.

Mësuesit, vetë fëmija… janë në shënjestër.

Prindërit harrojnë të përpilojnë bilance edhe për kontributin e tyre për mospërparimin e fëmijës.

Harrojnë motivimin. Mungesën e tij përgjatë gjithë vitit.

Harrojnë që janë kujdestarët e parë që i motivojnë fëmijët, u mësojnë aftësitë sociale, i ndihmojnë të kuptojnë dhe përshtaten me mjedisin e tyre dhe ta përballojnë me sukses problemin.

Psikologia shkollore Irena Shanaj mbron tezën se mjedisi i shtëpisë dhe prindërit luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e përgjithshëm dhe formësimin e personalitetit të fëmijës.

“Inkurajimi i prindërve e rrit motivimin, performancën shkollore dhe aspiratat e fëmijëve. Prindërit ofrojnë mbështetje financiare, mbështetje emocionale, mbështetje motivuese dhe materiale për t’u siguruar që fëmijët e tyre të performojnë mirë”, thotë psikologia.

Madje, kur prindërit janë të ngrohtë dhe të dashur ndaj fëmijës, ata reagojnë duke u përpjekur të përmbushin pritshmëritë e prindërve.

Një efekt ky që dallohet te fëmijët e të gjitha grupmoshave, sidomos te fëmijët më të vegjël.

Nga ana tjetër, mungesa e mbështetjes prindërore ka pasoja negative, duke i orientuar ata drejt tendencave jo të pëlqyeshme.

“Është mjaft e qartë se ndikimi i prindërve është thelbësor në motivimin e fëmijës, angazhimin në shkollë dhe performancën akademike, pasi fëmijët e prindërve të përfshirë shfaqin performancë të përmirësuar”, veçon Shanaj për Albanian Post.

Kështu që ndjekja e një stili prindërimi në përkushtim ndaj fëmijës duket se i jep rezultatet në shumë aspekte të jetës së tyre.

Referuar psikologes, stili i prindërimit është një konstrukt psikologjik që shpjegon sesi prindërit edukojnë fëmijën e tyre.

Janë modele ose konfigurime qëndrimi të shprehura nga prindërit ndaj fëmijës në një mjedis emocional, janë sjellje, vlera dhe standarde që prindërit i shprehin fëmijës dhe presin që ai t’i përmbahet atij.

Një rast

Psikologia shkollore Shanaj sjell për Albanian Post rezultatet e një studimi lidhur me përfshirjen e prindërve në motivimin e fëmijëve.

Një studim kërkimor i kryer nga një mësues hulumtoi pyetjen se deri në çfarë mase rritja e përfshirjes së prindërve nëpërmjet rritjes së komunikimit prind-mësues do të veprojë si një faktor motivues për nxënësit në lexim.

Gjithashtu hulumtoi nëse kjo do të lidhej pozitivisht me suksesin e nxënësve në lexim.

Prindërit dhe fëmijët i lexonin me radhë njëri-tjetrit për të paktën pesë minuta natën, tri herë në javë për tetë javë.

U gjet një efekt i përgjithshëm pozitiv.

Nxënësit bënë më shumë nga detyrat e tyre të shtëpisë dhe morën rezultate të mira në provim. Madje, me këto veprime më pozitive u ngrit edhe niveli i suksesit të klasës në përgjithësi.

Po ashtu, komentet e prindërve për anketat ishin të gjitha pozitive.

Tri detyrat e arsimit

Kuptohet, shkolla dhe mësuesit kanë vendin e tyre.

“Shkolla moderne ka një detyrë mjaft të mprehtë për të rritur efikasitetin e procesit pedagogjik, rritjen e  motivimit”, thekson Shanaj.

Por… ajo tregon se vëzhgimi i punës së mësuesve nxjerr se ata jo gjithmonë i kushtojnë vëmendjen e duhur motivimit të nxënësve.

Sipas saj, motivimi është një nga problemet kryesore në arsim. Shpesh trajtohet në mënyrë joadekuate.

Prandaj dhe “ka tri gjëra që duhen mbajtur mend për arsimin. E para është motivimi. E dyta, motivimi. E treta, motivimi”.

Motivimi, për të, përkufizohet si një forcë psikologjike që stimulon një individ të përpiqet në mënyrë të pavarur, në mënyrë të përqendruar dhe këmbëngulëse.

Të zgjidhë një problem ose të zotërojë një aftësi, ose detyrë që është të paktën mesatarisht sfiduese.

Dhe dy komponentë të rëndësishëm të sjelljes së motivimit janë kërkimi dhe këmbëngulja.

Kërkimi i sfidës është zgjedhja e një detyre më të vështirë mbi një detyrë më të lehtë. Kurse këmbëngulja është vazhdimi i punës në një detyrë, një pjesë kyçe e motivimit.

Ndërsa mungesa e këmbënguljes mund të jetë një simptomë e pafuqisë, e cila është një grup përgjigjesh negative.

“Motivimi në fëmijërinë e hershme mund t’i vendosë studentët në një trajektore më pozitive për suksesin e mëtejshëm akademik, parashikon aftësitë dhe mund të përmirësojë arritjet e mëvonshme”, pohon ajo.

Po ashtu, mund të krijojë një marrëdhënie shkakore rekursive, në të cilën ndryshime të vogla në motivim çojnë në arritje dhe kompetencë më të lartë, çka më pas rrit motivimin.

Zakonisht, sqaron Shanaj, motivimi shfaq rënie, teksa nxënësit rriten. Sepse fëmijët e vegjël janë shumë të motivuar për të eksploruar dhe mësuar.

Lavdërimi për përpjekjen mund të rrisë motivimin e tyre.

Nëse fëmijët lavdërohen për tiparet e tyre fikse ose sjelljen e tyre mund të ndikojë në vazhdimësinë e tyre.

Kjo mund t’i ndihmojë fëmijët të përqendrohen në procesin e të mësuarit dhe zhvillimin e aftësive dhe të vlerësojnë mundësitë e të mësuarit në vend që të shqetësohen se sa mirë do të performojnë.

Ndryshe, u tregon atyre se përpjekja vlerësohet duke i çuar në këmbëngulje më të madhe dhe i edukon të mirëpresin sfidat.

Një faktor i dytë është t’u jepen fëmijëve strategji të qarta verbale vetudhëzuese se si të këmbëngulin.

Psikologia Shanaj shpjegon për Albanian Post se këto strategji mund t’i ndihmojnë fëmijët të vazhdojnë më gjatë dhe të shmangin tundimin për ta lënë detyrën e nisur.

Tjetër është rritja e vetefikasitetit të fëmijëve, duke u dhënë atyre një model që e përballon dështimin.

“Vetefikasiteti është besimi i një individi se ai ose ajo mund të kryejë me sukses sjelljen e nevojshme, duke prodhuar një rezultat të caktuar dhe parashikon këmbëngulje më të madhe te fëmijët”, tregon ajo.

Si të rritet motivimi?

Ka disa metoda që ndihmojnë në rritjen e motivimit te fëmijët.

Ndër to, metoda verbale, vizuale dhe praktike, metodat e kërkimit, një aplikim i sistemit të shpërblimit ose përdorimi i formave jo tradicionale të punës.

“Mësimi i këtyre metodave, duke mos humbur interesin e tyre është detyra kryesore e mësuesit. Nëse kjo dështon, atëherë motivimi i të mësuarit mund të fillojë të bjerë”, ravijëzon Shanaj.

Njohuritë e koncepteve, parimeve dhe teorive të motivimit duhet të jenë elemente bazë në një kurs themelor në psikologjinë e edukimit.

Ama mësuesit duhet të dinë se si kjo njohuri konceptuale lidhet me klasën dhe me rolin e tyre udhëzues në klasë.

“Nuk duam vetëm që nxënësit të arrijnë, duam që ata të vlerësojnë procesin e të mësuarit dhe përmirësimin e aftësive të tyre, duam që ata të bëjnë me dëshirë përpjekjet e nevojshme për të zhvilluar dhe zbatuar aftësitë dhe njohuritë e tyre, duam që ata të zhvillojnë një angazhim afatgjatë për të mësuar”, thotë ajo.

Prandaj, është “prioriteti i parë të ndihmojmë mësuesit të kuptojnë pse motivimi është i rëndësishëm”.

Por kjo mund të jetë sfidë kur tekstet shkollore të psikologjisë së edukimit zakonisht i japin vetëm një kapitull motivimit dhe ky kapitull ofron pak më shumë se një pasqyrë të teorive dhe koncepteve.

Shpesh, sipas saj, motivimi është karakterizuar brenda pikëpamjes sasiore në të cilën motivimi është përshkruar si intensiteti i sjelljes, drejtimi i sjelljes dhe kohëzgjatja e sjelljes.

“Në vend të kohëzgjatjes së sjelljes, duhet të mendojmë për cilësinë e angazhimit të detyrës. Në vend të drejtimit të sjelljes, duhet të mendojmë për qëllimet ose arsyet e të mësuarit të nxënësve”, specifikon Shanaj.

Detyra, me të cilën përballen mësuesit, nuk është maksimizimi apo optimizimi i nivelit të motivimit. Për të, të sugjerosh kështu përjetëson një pikëpamje se motivimi është një gjendje zgjimi ose energjie.

“Ajo që supozohet, është se duke rritur ose optimizuar këtë gjendje, performanca do të rritet”, përmbyll psikologia.

Kështu që, vitin e ardhshëm shkollor nuk duhet të ketë më fajësime, por përkushtim nga të gjitha palët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore