Lajme

LDK: Veprimet e kundërligjshme të MPJD-së po e favorizojnë politikën agresive të Serbisë  


Shqipe Mjekiqi

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, përmes një konference për media ka kritikuar punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme si në aspektin organizativë ashtu edhe në pasivitetin e saj në raport me fushatën e Serbisë për çnjohje të shtetësisë dhe pengimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Për LDK-në, veprimet e kundërligjshme të Ministrisë së Jashtme në raport me shërbimin e jashtëm, po pengojnë forcimin e subjektivitet të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sipas zyrtares së LDK-së, Ministria e Jashtme e udhëhequr nga ministrja Donika Gërvalla në emër të reformave në këtë dikaster po vepron në mënyrë të jashtëligjshme duke shkarkuar e emëruar zyrtarë të shërbimit të jashtëm.

“I tillë ishte edhe rasti me shpalljen e konkursit për 32 zyrtarë të MPJD-së, konkurs të cilën Këshilli Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës para 3 ditëve e ka shpallur të jashtëligjshëm”, ka thënë Mjekiqi në konferencë për media.

Veprimet e MPJD-së, sipas Mjekiqit, në raport me shërbimin e jashtëm përveç që janë të kundërligjshëm kanë edhe implikime financiare.

“Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës që i dha të drejtë diplomatit të tërhequr në mënyrë të jashtëligjshme nga misioni në Londër do të kushtojë buxhetit të Kosovës 20 mijë euro. Ministria u dënua edhe prej një gjobë prej 13 mijë eurove për rezistencën e saj për të ofruar informatat lidhur me shpenzimet për një diplomat tjetër”.

E gjithë kjo paligjshmëri brenda MPJD-së, sipas Mjekiqit shkakton regres në politikën e jashtme dhe e favorizon Serbinë, e cila ka riaktivizuar propagandën e saj kundër pavarësisë dhe pengimit të anëtarësimit  të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Kemi një pasivitet në aspektin e politikës së jashtme, nuk ka njohje nuk ka anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por çfarë është më shqetësuese është mungesa e informacionit, pra çfarë do të bëjë qeveria në këtë rast meqenëse ka thënë se ka planë për të aplikuar për status të kandidatit në Bashkimin Evropian, çfarë do të bëjë qeveria për të siguruar mbështetjen e vendeve të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës?”, ka pyetur ajo.

Ndryshe dy ditë më parë Albanian Post, pati siguruar një vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, përmes së cilës ky këshill kishte shpallur të kundërligjshëm konkursin për 32 zyrtarë të misionit diplomatik gjatë muajit korrik të këtij viti.

Në vendimin që e posedon AP, thuhet se rekomandohet që MPJ të ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore për anulimin e këtij konkursi.

“Kolegji i Këshillit, po ashtu nga shqyrtimi i shkresave të administruara ka gjetur se procedurës së rekrutimit të 32 zyrtarëve të misionit diplomatik nuk i ka paraprirë një procedurë e brendshme e lëvizjes paralele në kuadër të shërbimit civil”, thuhet në dokument.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore