Lajme

LDK: “Popullizmi nuk e ndalë variantin e rrezikshëm Delta”


Lidhja Demokratike e Kosovës

Partia e dytë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar me kritika ndaj Qeverisë së Kosovës lidhur me rritjen e numrit të të infektuarve me virusin COVID-19.

Ky subjekt politik ka thënë se partia në pushtet në raportin e 100 ditëshit të qeverisjes kishte thënë se “Nga 781 raste kemi vetëm 9-të të reja sot”.

Partia në pushtet kishte kritikuar vet LDK-në e cila kishte menaxhuar me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Natyrisht se sot, për shkak se situata me pandeminë është kaq e mirë, suksesi mund të merret si diçka e garantuar që do të ndodhte vetvetiu, por nëse e kthejmë shikimin vetëm 100 ditë mbrapa e kuptojmë dallimin që nuk është më pak se kontrast dhe ndryshimin që është më shumë sesa përmirësim.”

Por, LDK ka thënë se këto janë fjalët e raportit 100 ditësh të Qeverisë të cilat fjalë i kanë quajtur si “mburrje e marrje meritash – pa meritë – si simbolikë”.

Mirëpo, gjendja në terren ka ndryshuar krejtësisht dhe atë për keq. Andaj ky subjekt politik kërkon përgjegjësi për situatën e krijuar.

“Tani që për një ditë i kemi 352 raste të reja me COVID-19, kush merr përgjegjësinë? A është ndryshimi më shumë se përmirësim tani, apo perdja e një Qeverie populliste që merr merita për gjithçka ka rënë!”

LDK në reagim ka thënë se me populizëm nuk fitohet beteja me pandeminë.

“Popullizmi nuk e ndalë variantin e rrezikshëm “Delta”, por një qasje racionale dhe një angazhim serioz me vaksinim”.

Gjithashtu kritika ka edhe për numrin e vogël të të vaksinuarve.

“Sot, në Kosovë janë vetëm 9% të vaksinuar. Me numrat e tanishëm Kosova mbetet vendi i fundit në Evropë. Masat e pakontrolluara ndërsa vazhdojnë të dërgojnë vendin drejt një mbyllje të sërishme, me kosto enorme për ekonominë dhe jetën publike. Tubimet e mëdha, e të hapura, pa një vaksinim paraprak, i kanë kontribouar gjendjes së tanishme”, thuhet në reagim.

Kurse sa i përket menaxhimit të pandemisë, LDK konsideron se Kosova ka mungesë të stafit mjekësor, andaj edhe largimi i rreth 650 infermierëve ende pa u stabilizuar gjendja, do ta rëndoj edhe më tej situatën.

“Në anën tjetër menaxhimin e pandemisë e bënë edhe më të vështirë largimi i rreth 650 anëtarëve të stafit të infermierëve nga klinikat që merren me trajtimin e pacientëve me COVID 19”.

LDK duke kritikuar Qeverinë ka thënë se “Lëvdatat e thata më s’bëjnë punë. Meritat e përvetësuara edhe më pak. Neglizhenca e një Qeverie praktikante, është dëmi shoqëror i gjithë kosovarëve”.

Të shtunën në raportin 24 orësh të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) është bërë e ditur se kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19 gjithsejtë 352 qytetarë nga 5 mijë e 204 testime të bëra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore