Lajme

LDK-ja ua “qanë hallin” prindërve: Në vend që të pushojnë në Gërmi, vrapojnë nga një librari në tjetrën


Ilustrim

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ua ka “qarë hallin” prindërve kosovarë, të cilët, sipas saj, në vend që të gjejnë pak kohë për të pushuar, detyrohen të vrapojnë nëpër librari të ndryshme për t’i siguruar tekstet shkollore për fëmijët e tyre.

“Sot është e diel, vikendi i parë i shtatorit, mot i jashtëzakonshëm, mundësi ideale që prindërit të kalojnë kohë pushimi me fëmijët e tyre, në Parkun e Gërmisë apo kudo tjetër”, ka shkruar Halimi në formë kritike ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që i ngarkon prindërit me blerjen e teksteve shkollore për nxënësit filloristë.

“Mirëpo qeveria që komplikon gjithçka, ua ka shtuar një brengë më shumë, duke i detyruar të vrapojnë nga një librari në tjetrën, e të presin në radhë të gjata, për librat që shpesh edhe nuk mund t’i gjejnë”, ka shtuar ndër të tjera zëdhënësja e partisë më të vjetër parlamentare në Kosovë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka pretenduar se me vendimin për blerjen e teksteve shkollore nga prindërit e pastaj rimbursimin e parave përmes platformës “e-Kosova”, duke prishur kështu zinxhirin e furnizimit me tekste shkollore, po e kursejnë buxhetin e shtetit.

Megjithatë, vendimi i ekzekutivit kosovar është kritikuar në masë të madhe për shkak se janë shkaktuar telashe të panevojshme siç janë pritjet e gjata në rend nëpër librari, paqartësi mbi blerjen e teksteve shkollore, bartje të librave nëpër librari të ndryshme e aplikime për rimbursim.

“Kjo nuk do të ishte temë sikur të kishim një qeveri të përgjegjshme dhe të dijshme. Tashti në vend se të flisnim për digjitalizim të shkollave e inteligjencë artificiale, sikur krejt bota e zhvilluar, na duhet të përballemi me këto sajesa e harrnime të një qeverie të paaftë”, ka konsideruar Halimi.

E dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur veçse ka nisur viti i ri shkollor, zyrtarë të lartë të MASHT-it janë munduar ta arsyetojnë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta të librave, mirëpo sipas opozitës kosovare, ky proces del të jetë me kosto edhe më të lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore