Lajme

Lavdim Krasniqi mbrohet në heshtje në gjykimin ndaj tij


Ish-drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi

Ish-drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se ka vendosur të shfrytëzojë të drejtën që të mbrohen në heshtje.

“Unë kam menduar gjatë dhe jam konsultuar edhe me mbrojtësin tim dhe për arsye se nga fillimi kundër meje rasti ka qenë i montuar dhe janë ndërmarrë veprime në mënyrë të kundërligjshme nga një prokuror i cili nuk ka pasur mandat ligjor si prokuror i Krimeve të Rënda, kam vendosur të shfrytëzoj të drejtën time të mbrohem në heshtje”, tha Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ish-drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi

Ai shtoi se ekzistojnë prova të cilat vërtetojnë se prokurori në kohën e ndërmarrjes së veprimeve nuk ka pasur vendim nga autoriteti përgjegjës.

“Lidhur me këtë që e them, ekzistojnë prova, të cilat ju mund t’i vërtetoni zyrtarisht në këtë gjykatë se prokurori në kohën e ndërmarrjes së veprimeve, nuk ka pasur vendim nga autoriteti përgjegjës, që të ushtrojë detyrën e prokurorit të krimeve të rënda”, shtoi ai.

Ndërkaq seanca është duke vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Ardian Krasniqi.

Akuzat që rëndojnë mbi Krasniqin janë, “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit, falsifikim të dokumenteve, mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare dhe blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituar me kryerjen e veprës penale”.

Më 1 mars, Lavdim Krasniqi dhe një zyrtare tjetër e këtij institucioni, ishin arrestuar si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore