Lajme

Lavdërohet Murati: 66 persona janë punësuar në Veri


Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se një muaj pas lansimit të masës së punësimit në katër komunat në Veri të vendit, tashmë kemi edhe punësimet e para.

“Në muajin e parë janë punësuar 66 punëkërkues si rezultat ndërmjetësimit nga Agjencia e Punës nëpërmjet kësaj mase”, ka njoftuar ai në Facebook.

Sipas tij, punësimi është bërë nëpër biznese që tashmë janë regjistruar në zyrat lokale të ARBK, dhe operojnë sipas ligjeve në fuqi.

Ndërkaq dy muaj më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se punësimi është më i lartë se çka qenë ndonjëherë në Kosovë.

“Afër 10 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna. Mbi 12 mijë gra janë punësuar përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Eksportet dhe Investimet e Huaja Direkte janë dyfishuar”, pati shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka theksuar se në tri vjet qeverisje “rishpërndamë rreth 1.2 miliard euro te qytetarët dhe bizneset përmes masave të shumta, pa krijuar borxhe të reja”.

“Kemi pasur pakon më të madhe mbështetëse në rajonin e Ballkanit për qytetarë në ballafaqim me inflacionin dhe krizën energjetike, si përqindje e Bruto Produktit Vendor sipas Raportit të Bankës Botërore. Shpenzimet kapitale në vitin e kaluar shënuan vlerë rekord prej 555 milionë euro të ekzekutuara. Ndërkohë që borxhin publik e kemi në nivelin më të ulët në Evropë”, shtoi.

“Në vitin 2020 faturat e papaguara nga qeveritë e kaluara për mallra dhe shërbime që kanë marrë nga bizneset kanë qenë në vlerë prej 140 milionë euro. Në fund të vitit të kaluar ky borxh është ulur në vetëm 33 milionë”.

Sipas Kurtit, qarkullimi i bizneseve në vitin 2023 ishte “për 58 për qind më i lartë se ai në vitin 2019, vit parapandemik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore