Lajme

Largimin e UNMIK-ut nga Kosova, ekspertët po e shohin të pamundur


Flamuri i Kosovës.

UNMIK-u vazhdon të operojë në të gjithë territorin e Kosovës, përfundimin e mandatit të misionit të UNMIK-ut në Kosovë ekspertët po e shohin si të pamundur.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për drejtësi ka deklaruar se e sheh si proces kompleks dhe që për këtë duhet të miratohet një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit.

“Përfundimi i Mandatit të UNMIK-ut është jashtëzakonisht kompleks me vet faktin që ai ushtron funksionin në bazë të asaj që ka ardhur në qershor të vitit 1999-të  “në bazë të Rezolutës 1244, kështu që në mënyrë që UNMIK-u  të përfundoj mandatin e tij, duhet ose të kemi një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit që e shfuqizon rezolutën 1244”, deklaron Miftaraj për EO.

Por shton se duhet të “përfshihet edhe vota e Rusisë dhe Kinës ose nëse do ta kemi një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë e cila do të kapitulloj ose kurorëzohet me ulëse në OKB, dhe automatikisht do ta shfuqizonte këtë mision”.

Sipas tij, UNMIK-u e ka pasur barrën kryesore në vitet e para të 1999 kur dhe ka administruar Kosovën në të gjitha fushat.

“Mund të themi se UNMIK-u ndoshta në vitet e para ka pasur barrën kryesore po flas në qershor 1999 deri në vitet e para kur është dashur ta udhëheq administrimin e Kosovës në të gjitha fushat”.

Por, që roli i UNMIK-ut ka ndryshuar në Kosovë që nga viti 2008.

“Nga viti 2008 e këndej ka rol ineksiztent në Kosovë dhe nuk ka më asnjë pushtet ekzekutiv.  Mund të themi që më shumë ka pasur rol mbështetës dhe ne e shohim që është i gjallë kur bën vetëm raportime në Këshillin e Sigurimit”.

Po ashtu, tha se UNMIK-u është krijesë e Këshillit të Kombeve të Bashkuara, prandaj mandati i tij mund të përmbyllet vetëm nëse ekziston vullneti i pesë shteteve të Këshillit të Sigurimit.

“UNMIK-u është krijesë e Këshillit të Kombeve të Bashkuara dhe një mision si ky i cili është ardhur në Kosovë në vitin 1999 mbetet në vullnetin e pesë shteteve kryesore që janë në Këshillin e Sigurimit, dhe nëse njëra nga këto ka veto sigurisht që kjo nuk mund të ndodh pavarësisht që politika në Kosovë ka kërkesa që mund të mbyllet ky mandat”.

UNMIK.

Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi ka theksuar se UNMIK-u ka kryer misionin e vet qysh në momentet kur Kosova është bërë shtet.

“UNMIK-u faktikisht e ka kryer misionin e vet në momentin kur Kosova është bërë shtet dhe kur është shpallur pavarësia e Kosovës, mirëpo duke pasur parasysh që situata politike në të cilat ne kalojmë thuajse është e pamundur që UNMIK-u së paku mos të jetë pjesë figurative në vend, duke pasur parasysh prezencën e KFOR-it”, u shpreh Gashi.

Sipas Gashit, misioni i UNMIK nuk paraqet ndonjë peshë të madhe.

“Tani Kosovën e udhëheqin politikanë dhe ata që janë faktikisht në krye të shtetit dhe jo që ka ndonjë peshë të madhe misioni i UNMIK-ut në Kosovë, dhe sido që të jetë prezenca e saj nuk është as e dobishme dhe as e dëmshme”.

“Është një numër rreth 50 zyrtarëve për aq sa unë e di, dhe janë çështje për të cilën këta më tepër janë të koncentruar në pjesën veriore të Kosovës. Tani më faktikisht nuk janë më imponues të paqes por ruajtës të paqes”.

Misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, u vendos në Kosovë për herë të parë në qershor të vitit 1999.

Ky mision kishte për qëllim që të shërbente si prezencë ndërkombëtare civile dhe ushtarake pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Aktualisht, UNMIK-u ka prani shumë të kufizuar në Kosovë.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA), përsëritën kërkesën për mbyllje të këtij misioni në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore