Lajme

Largimi i infermierëve nga Kosova – kërkohet krijimi i kushteve më të mira


Infermierët.

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë më rastin e 12 majit, Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve kanë kërkuar kushte më të mira për komunitetin e infermierëve, me qëllim të parandalimit të ikjes së tyre nga Kosova.

Kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustemaj, deklaroi se në dy vitet e fundit sfida më e madhe e infermierëve ka qenë COVID-19.

“Kjo situatë ka dëshmuar rolin dhe rëndësinë e infermierëve dhe nevojën imediate të dhënies së respektit dhe kujdesit të duhur, ligjor dhe institucional. Është evidente se pandemia ka nxjerrë në pah disa probleme që lidhen me pozitën e Infermierëve dhe ka ngritur nevojën e fuqizimit dhe përmirësimit të pozicionit të tyre”, deklaroi Rrustemaj.

Gjithashtu, theksoi ikjen e infermierëve nga Kosova, për shkak të mungesës së kushteve të punës.

“Nga kjo arsye OIK ka përgatitur dhe sponsorizuar draft-ligjin për profile të infermierit. Jemi dëshmitarë se në mungesë të rregullimit ligjor, përmirësimit të kushteve të punës, përmirësimit të të ardhurave të infermierëve, ata çdo ditë orientohen në kërkim të vendeve të punës jashtë Kosovës, kështu që në një të ardhme të afërt nëse vazhdon kjo dinamikë do të kemi mungesë të infermierëve dhe profileve të ngjashme”.

Njëra nga protestat e punëtorëve shëndetësor.

“Prandaj, është koha e fundit që me një seriozitet dhe vendosmëri në kohë sa më të shpejtë të zgjidhen problemet aktuale të bartura për një kohë të gjatë ”, u shpreh ai.

Ndërsa, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, theksoi se ministria e Shëndetësisë po punon në krijimin e kushteve më të mira të punës për infermierët.

Kjo për arsyeje që të pengohet edhe ikja e këtij komuniteti nga Kosova.

Ndërsa, zëvendëskryetarja e OIK-së, Lirie Beqiri, u shpreh se si komunitet i infermierëve dolën faqebardhë në ballafaqimin me COVID-19.

Ndyrshe, kuadri specialistik mjekësor, po vazhdon të ikë nga Kosova me qëllim për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës.

“Vetëm në katër vitet e fundit në Kosovë, kanë kërkuar certifikatë për largim 400 mjekë”. Këtë e kishte bërë të ditur për Albanian Post, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

Problemi i ikjes së mjekëve nga Kosova, ka filluar që në vitin 2016 kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë.

Ndërsa, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, njëjtë si secila qeveri tjetër, nuk është se ka prezantuar plan specifik për ikjen e specialistëve mjekësorë.

Planet qeveritare, sipas asaj që është prezantuar deri më tani, janë dhënë kryesisht si platforma të përgjithshme, ku nuk flitet për probleme specifike të shëndetësisë. Dhe derisa qeveritarët ndërrohen, ikja e mjekëve të rinj mbanë ritmin e njëjtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore