Muzikë

Lajmi që Dua Lipa shpallet Ambasadore Nderi e Kosovës kryeson në titujt e mediave botërore


Dua Lipa dhe Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa ishte sërish në krye të formacionit të mediave botërore këtë fundjavë, për festivalin e saj “Sunny Hill” që u mbajt në Prishtinë.

Lipa gjatë së premtes, mori titullin “Ambasadore Nderi” në Kosovë nga presidentja Vjosa Osmani për shkak të përfaqësimit dhe kontributit të saj.

“Lipa, vajza e prindërve shqiptarë të Kosovës, u nderua në një ceremoni të mbajtur të premten nga presidentja Vjosa Osmani, e cila vlerësoi punën humanitare të këngëtares si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj”, shkruan “The Rolling Stones”.

Ndërkaq, presidentja e shtetit e ka falënderuar Lipën, për gjithçka që ka bërë për vendin duke thënë se “përveç të qenit një këngëtare e klasit botëror ju jeni gjithashtu një model për shumë vajza dhe gra në mbarë botën si një aktiviste e sinqertë dhe e ndërgjegjshme”.

“Por mbi të gjitha, ajo që keni bërë për popullin e Kosovës, në ngritjen e vetëdijes për Republikën e Kosovës është e pakrahasueshme dhe me të vërtetë e paçmueshme”, ka thënë mes tjerash Osmani.

Dua Lipa dhe Vjosa Osmani

Nga ana tjetër, Lipa u shpreh se “është një nder dhe një privilegj të jem në gjendje të përfaqësoj vendin tim në të gjithë botën dhe të vazhdoj punën dhe përpjekjet e mia globalisht për të parë që ne të lëmë gjurmët tona dhe të bëjmë një ndryshim”.

Ndër porositë e saj të para si ambasadore nderi ishte: lobimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, një kauzë për të cilën këngëtarja mbrojti gjatë gjithë Festivalit “Sunny Hill” që ajo dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, e themeluan në vitin 2018.

“Sot i bashkohemi zërave botërorë për të kërkuar ndihmën e miqve tanë evropianë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Lipa. “Ndërsa BE-ja vendos kufijtë rreth lirisë sonë, ne do të mbajmë aspiratat tona për t’u çliruar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore