Lajme

Lajçak: Hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Spajiç-it dërgojnë mesazh se Mali i Zi është i gatshëm të punojë në rrugën drejt BE-së


Miroslav Lajçak dhe Danilo Sharanoviç

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka thënë se hapat e ndërmarrë nga qeveria e 44-të malazeze – e drejtuar nga Milojko Spajiç – në fillim të mandatit të saj, “dërgojnë një mesazh vendimtar se Mali i Zi është i gatshëm të punojë me përkushtim në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE”.

Këto komente, top-diplomati sllovak i ka bërë gjatë takimit që ka pasur me Ministrin e Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Danilo Sharanoviç, në kryeqendrën evropiane, Bruksel.

“Lajçak tha se hapat e parë të ndërmarrë nga Qeveria e 44-të në fillim të mandatit dërgojnë një mesazh vendimtar – se Mali i Zi është i gatshëm të punojë me përkushtim në rrugën drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga MPB-ja malazeze.

Siç citohet nga MPB-ja malazeze, Lajçak i ka konfirmuar Sharanoviç-it se BE-ja mbështetet “fuqishëm” Malin e Zi, “veçanërisht duke pasur parasysh vullnetin e rinovuar dhe të fortë politik dhe përpjekjet e institucioneve për përshpejtimin e procesit negociator”.

Nga ana tjetër ministri i Brendshëm malazez ka theksuar se janë tërësisht të bazuar në arritjen e rezultateve nga procesi i negociatave në mes të BE-së dhe Malit të Zi për anëtarësimin e këtij vendi në Union, “me theks të veçantë në kapitujt 23 dhe 24 të negociatave”.

“Duke zbatuar reforma, ne do të forcojmë kapacitetet tona dhe do t’i bëjmë ato të gatshme për anëtarësimin e ardhshëm në Union”, shtoi Saranoviç.

Ndryshe, që nga muaji i kaluar Mali i Zi, ka qeveri të re. Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes Evropa Tani, si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, është zgjedhur kryeministër, duke pasur në këtë pozitë Dritan Abazoviç.

Për t’u bërë kryeministër, Spajiç ka bërë marrëveshje me partitë shqiptare, Demokratët, si dhe me koalicionin “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre por ruso-serb.

Madje, njërit prej këtyre liderëve, Presidentit të Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiç, ia ka dhënë postin e Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore