Lajme

Lajçak dhe O’Brien diskutojnë zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor


Miroslav Lajçak dhe James O'Brien

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, të mërkurën, ka takuar ndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, përpara fillimit të Konferencës së Sigurisë së Munihut.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, diplomati sllovak ka njoftuar se me top-diplomatin amerikan ka krahasuar shënimet mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivat për periudhën e ardhshme.

“Ramë dakord të qëndrojnë në kontakt shumë të ngushtë. Faleminderit për mbështetjen e fortë të SHBA-ve në punën time”, ka shkruar Lajçak.

Ndryshe takimi i Lajçak me O’Brien ka ardhur një ditë pasi ky i fundit në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës kritikoi Kosovën me tone të ashpra pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Me një gjuhë shumë të drejtpërdrejtë që jo shumë diplomatë kanë guximin ta përdorin, O’Brien tregoi se Kurti u kishte dhënë premtime ndryshe për çështjen e dinarit, por më pastaj ka vepruar ndryshe në terren duke vënë në pikëpyetje kështu edhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I pyetur se a ka biseduar me Kurtin për shqetësimet e SHBA-ve lidhur me vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit – valutë shtetërore e Serbisë – në territorin e Kosovës, numri një i amerikanëve për Evropën deklaroi se “kemi pasur disa biseda në periudhën para se të shpallej vendimi dhe një shkëmbim të shkurtë më pas”.

Në pyetjen se si Kurti e ka pritur vlerësimin e tij lidhur me këtë çështje, top-diplomati amerikan ka potencuar se ai “ka kuptuar shqetësimet” dhe se ka premtuar “se do të punonte për to”.

Por, çudia në sytë e tij ka ndodhur më pas kur Kurti krye në vete – ndryshe nga çfarë ka premtuar – ka proceduar me vendimin.

“Qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, vlerësoi ai.

Pjesa më problematike e kësaj interviste ishte pyetja pasuese e gazetarit dhe deklarata shqetësuese e me një mesazh të rëndë e O’Brien, i cili, si kurrë më parë, vuri në pikëpyetje marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien kur u pyet se a planifikojnë

SHBA-të të veprojnë njëjtë si Bashkimi Evropian duke vendosur masa Kosovës, nëse ekzekutivi këmbëngul në qëndrimin e saj.

Më tej duke potencuar se vendimi i BQK-së ka zënë në befasi komunitetin serb në Kosovë, O’Brien ka vlerësuar se “kjo nuk është formë e qeverisjes efektive” dhe se një gjë e tillë tregon “paaftësinë e Qeverisë së Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore