Sport

La Liga, luhen dy nga katër ndeshjet e programura për të shtunën


Në La Liga spanjolle do të luhen dy ndeshje ditën e shtunë. Faktikisht ishin programuar katër ndeshje, por përballjet: Sevilla – Barcelona dhe Villarreal – Alaves, janë shtyrë.

Ndeshjet u shtynë për shkak se skuadrat kishin një numër të konsiderueshëm të lojtarëve të angazhuar në kualifikueset e Kupës së Botës në Amerikën e Jugut.

Ndërkohë dy ndeshje do të luhen: Levante – Rayo Vallecano dhe Athletic Bilbao – RCD Mallorca.

Përballja e parë, ajo e orës 18:30 do të jetë mes Levante-s dhe Vallecano-s, në stadiumin “Ciudad de Valencia”.

Për vendasit pritet të jetë titullar, Shkodran Mustafi, ndërsa Enis Bardhi është në pikëpyetje nëse do të jetë pjesë e kësaj sfide apo jo.

Në krahun tjetër, afrimi i bujshëm i Vallecano-s këtë merkato, Radamel Falcao nuk do të jetë i gatshëm për këtë sfidë.

Pas tre ndeshjesh në La Liga për këtë sezon, Levante ka grumbulluar dy pikë dhe Vallecano tre pikë.

Sfida tjetër e të shtunës, ajo e orës 21:00 mes Athletic Bilbao – RCD Mallorca do të luhet në stadiumin “San Mames”.

Pas tre ndeshjesh këtë sezon në La Liga, vendasit kanë arritur të marrin pesë pikë, kundrejtë shtatë pikëve që kanë grumbulluar miqtë.

Sfidat e tjera në La Liga do të luhet të dielën dhe të hënën: Espanyol – Atletico Madrid, Osasuna – Valencia, Cadiz – Real Sociedad, Real Madrid – Celta Vigo, Getafe – Elche dhe Granada – Real Betis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore