Sport

La Liga/ Levante e Mustafit dhe Bardhit kërkon fitoren përballë Getafe-s


Në La Liga spanjolle do të luhen dy ndeshje këtë të shtunë. Levante, Getafe, Real Sociedad-i dhe RCD Mallorca janë katër skuadrat që do të zbresin në fushë.

Ndeshjet do të luhen për llogari të javës së nëntë në La Liga.

Duke filluar nga ora 18:30, Levante vendase do të presë Getafe-n në “Ciudad de Valencia”. Shkodran Mustafi pritet ta nisë ndeshjen nga minata e parë.

Enis Bardhi dhe Roberto Soldado do të jenë mungesat e mëdha për vendasit. Jakub Jankto është mungesa e madhe për miqtë.

Të dy skuadrat janë në kushte jo të mira në renditje. Levante ka katër pikë pas tetë javëve të para dhe renditet në vendin e 18.

Getafe ka një pikë dhe renditet në vendin e fundit. Përballja e fundit mes tyre ka qenë gati pesë muaj më parë, e fituar me rezultatin 2-1 nga Getafe.

Ndeshja e fundit do të jetë ajo mes Real Sociedad-it dhe RCD Mallorca-s. Sfida do të luhet në “Reale Arena”, duke filluar nga ora 21:00.

Për vendasit pritet të mungojë David Silva, Nacho Monreal, Asier Illarramendi, Alexander Sorloth dhe është në dyshim kapiteni, Mikel Oyarzabal.

Sociedad-i ka 17 pikë në renditje dhe ndan vendin e parë me Real Madrid-in dhe Atletico Madrid-in. Mallorca ka 11 pikë dhe renditet në mesin e tabelës.

Përballja e fundit mes dy skuadrave, e luajtur në janar të këtij viti, ka përfunduar me rezultatin 3-0 në favor të Sociedad-it.

La Liga do të vijojë me ndeshjet e tjera të dielën dhe të hënën. Ndërkohë sfidat Real Madrid – Athletic Bilbao dhe Granada – Atletico Madrid janë shtyrë për një datë të pacaktuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore