Lajme

Kuvendi shkarkon Agron Bekën nga pozita e anëtarit në KPK


Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës, e ka shkarkuar Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me 62 vota pro në seancën e së premtes.

Komisioni për Legjislacion kishte miratuar në fund të shtatorit këtë vit rekomandimin për shkarkimin e Bekës, kjo për shkak të raportimeve që ishin publikuar për përplasjet institucionale për Agron Bekën, në të cilin ishin shpalosur pretendimet për shkeljet ligjore nga Beka dhe të tjerë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

Në hulumtim shpërfaqej se si Agron Beka kishte ushtruar ndikimin si anëtar i KPK-së për polemikat në universitet që nuk ndërlidheshin me punën e tij në KPK.

Më 2 nëntor, shkarkimi i Bekës ishte pamundësuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Në mungesë kuorumi, ishte shtyrë për seancë tjetër votimi i rekomandimit për shkarkimin e anëtarit joprokuror në KPK.

Edhe më 19 tetor, në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk e kishte shqyrtuar rekomandimin për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të KPK-së.

Pas inicimit të Komisionit për shkarkimin e Bekës, Këshilli Prokurorial pati akuzuar deputetët për tendencë për ndërhyrje e cenim të sistemit prokurorial.

KPK-ja kishte akuzuar Komisionin se e ka marrë vendimin pa i shqyrtuar të gjitha provat.

Më 25 shtator të 2023-ës është miratuar rekomandimi për inicimin e shkarkimit të anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore