Kosova

Kuvendi nis seancën me një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë


Kuvendi i Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka nisur seancën e Kuvendit të Kosovës me një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Konjufca, është shprehur se masakra e Srebrenicës është masakra më e madhe pas luftës së dytë botërore.

“Nesër është 28 vjetori i masakrës së Srebrenicës, është masakra më e madhe pas luftës së dytë botërore në kontinentin evropian. Më 11 korrik 1995 forcat kriminale serbe vranë mbi 8 mijë e 732 boshnjakë në Srebrenicë, për këtë arsye ta përkujtojmë këtë ditë, dhe t’i nderojmë të rënët me 1 minutë heshtje”, tha ai.

Teksa ka theksuar se shpreson që “kriminelët të marrin dënimin për veprat e tyre”.

Në korrik të 1995-ës, forcat nga Republika Srpska e shkëputur nga Bosnja dhe aleatët paraushtarakë vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenica.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) kaloi vite duke hetuar masakrën.

ICTY zbuloi se forcat serbe të Bosnjës filluan planifikimin e gjenocidit gjatë fazës përfundimtare të Luftës tre-vjeçare të Bosnjës, në Mars 1995.

Objektivi i forcave serbe të Bosnjës ishte kapja e Srebrenicës, e cila ishte shpallur pjesë e një zone të sigurt të OKB-së në 1993.

Kur sulmuesit pushtuan Srebrenicën më 11 korrik dhe morën paqeruajtësit peng, rreth 25 mijë boshnjakë u larguan në periferi të qytetit.

Një ditë më vonë, sulmuesit filluan t’i sulmojnë, përdhunojnë dhe t’i vrasin ata.

Më 12 dhe 13 korrik, vajza, gra dhe refugjatë të moshuar u ngarkuan në autobusë dhe u drejtuan për në rajonet nën kontrollin e boshnjakëve.

Pasi vranë më shumë se 8 mijë njerëz nga 13 deri më 17 korrik, sulmuesit hodhën trupat e tyre në varre masive.

Pas masakrës, ushtarët serbë të Bosnjës rihapën varret masive me makineri të rënda dhe zhvendosën mbetjet njerëzore në varret dytësore dhe terciare.

Qëllimi i tyre ishte të fshihnin krimet e tyre. Patologëve iu është dashur të marrin dhe copëtojnë mbetjet njerëzore nga zona të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore