Kosova

Kuvendi miraton marrëveshjen për burgjet me Danimarkën


Foto: Albanian Post.

Projektligji për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës është miratuar në seancën e së enjtes, nga 94 deputetë në seancën e Kuvendit, 86 deputetë kanë votuar pro kësaj marrëveshje, 7 kundër dhe asnjë abstenim – ndonëse e njëjta ishte kritikuar nga shoqëria civile kjo pasi sipas tyre në burgje mund të krijohen “standarde të dyfishta”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e prezantoi këtë marrëveshje duke thënë se është tejet e rëndësishme, kjo pasi sipas saj, të dyja shtetet përfitojnë.

“Qëllimi i këtij trakti është që të rritet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Danimarkës dhe duke marrë parasysh edhe përfitimet që Kosova do të ketë nga kjo marrëveshje”, ka thënë Rizvanolli.

Ministria e Drejtësisë në disa deklarata ka thënë se mospërkrahja e kësaj marrëveshje do të cenojë rëndë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës.

Çka përfiton Kosova nga marrëveshja me Danimarkën?

Përmes marrëveshjes me Danimarkën, Kosova parashihet t’i fitojë mbi 200 milionë euro.

Nga shuma 200 milionë euro sa parashihet të përfitonte Kosova 30 milionë planifikohen të shkojnë për energji të ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.

Ndërsa, pagesa tjetër do të bëhet në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë.

Ilustrim.

Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.

Ndërkaq, udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100 për qind, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015.

Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh.

Kosova s’duhet të shndërrohet “strehë për kriminelët”, marrëveshja me Danimarkën sjellë “standarde të dyfishta”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore