Lajme

Kuvendi mblidhet në seancë të re plenare


Kuvendi i Kosovës

Këtë të premte deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në seancë të re plenare më fillim prej orës 11:00.

Fillimisht pritet që të zgjedhurit e popullit të votojnë Strategjinë për Energjinë për periudhën 2022-2031, diskutimet për të cilën kanë përfunduar një ditë më parë, kurse për votim nuk pati kuorum.

Seanca e re do të fillojë me pikat e zakonshme që janë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Tutje, do të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e Financave Publike dhe Rritjes Ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

Ligjvënësit kosovarë do të bëjnë shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, si dhe shqyrtimin e dytë të Projektligjit pёr anti-dopingun.

Për shqyrtim të dytë do të jetë edhe Projektligji për Bujqësi dhe zhvillim rural, si dhe Projektligji për Parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes.

Gjithashtu, si pikë e rendit të ditës është debati parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022.

Periudha e raportimit, siç thuhet në këtë raport, përkon me vitin e parë të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, pra mbulon periudhën nga qershori i vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022.

Gjetja kryesore e Komisionit Evropian, të cilën e ka shfaqur në këtë raport, është pikërisht menaxhimi i dobët i agjendës legjislative.

Në fund, deputetët do shqyrtojnë edhe raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2021.

Ndryshe, në seancën e fundit, pavarësisht thirrjeve të opozitës, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjin për Pagat.

Projektligji për Zyrtarët Publikë kaloi në lexim të dytë, ku 58 deputetë kanë votuar për, kurse katër kanë abstenuar ndërsa me 63 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër, votuan Ligjin për Pagat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore