Lajme

Kuvendi i Kosovës me projekt për trajnimin e deputetëve


fotografi nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të trajnohen nga zviceranët.

Dhe jo vetëm nga ta. Në një projekt bashkëpunimi që pritet të realizohet ndërmjet Kuvendit  të Kosovës dhe Ambasadës Zvicerane në Kosovë, në trajtim do të përfshihen deputetë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Përveç deputetëve, në trajnim do të përfshihen edhe zyrtarët e administratës së Kuvendit.

Kështu u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku u diskutua për zhvillimin e diplomacisë parlamentare nga Qendra për Studime Politike dhe Diplomatike.

Këshilltari i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Besnik Vasolli, tha se projekti do të jetë bashkëpunim me një kompani të përbërë nga deputetë dhe institucione të Bashkimit Evropian, për trajnime dhe konsulencë.

“Në bashkëpunim me Ambasadën Zvicerane e kemi bërë këtë bashkëpunim për një projekt, është kompani, e cila është e përberë më deputetë dhe institucione të ndryshme të Bashkimit Evropian”.

“Qëllimi i projektit është që të ndihmojë parlamentin tonë. Do të mbulojë edhe zyrtarët e administratës, do të bashkëpunojnë me deputete. Të gjitha këto elemente do t’i përkrahin, si me trajnime, si me konsulencë”.

“Ata kanë qenë në Kosovë, me disa deputetë kanë arritur të takohen, janë duke përpiluar se ku ata mund të na përkrahin. Trajnimet planifikohen te fillojnë në maj, projekti pritet që të përfundojë deri në nëntor ose dhjetor. Mirëpo këtu nuk përfundon bashkëpunimi”, tha ai.

Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, u interesua se kur mund ta ketë Komisioni një plan konkret, në mënyrë që ta trajtojnë atë.

“Po më intereson ta di se a ka një plan konkret përveç këtyre trajnimeve që do të mbahen, që të shohim si ta trajtojmë këtë plan. Kërkoj që ai plan të sillet dhe ta diskutojmë”, tha ajo.

Vasolli tha se një draft i planit konkret është premtuar dikur nga mesi i prillit.

Ky komision diskutoi edhe për parapërgatitje për vizitën në Republikën e Shqipërisë, mirëpo kjo pikë ishte e mbyllu për media.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore