Lajme

Kuvendi i Kosovës mban sot seancë të veçantë, do të diskutohet për veriun


Kuvendi i Republikës së Kosovës sot do të mbajë një seancë të veçantë duke filluar nga ora 10:00.

Në njoftimin e tyre për media, bëhet e ditur se do të zhvillohet debat parlamentar në lidhje me situatën në veriun e Kosovës.

Ndryshe, kjo seancë vjen pas kërkesës së opozitës.

Shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka njoftuar se kanë ftuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës që të raportoj rreth situatës në Veri dhe raporteve me SHBA-në dhe Bashkësinë Ndërkombëtare.

Ai pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të mëkurën ka deklaruar se në një situatë tillë nuk mund të rrinë duarkryq.

“Ne nuk mund që të qëndrojmë duarkryq dhe duhet t’i marrim përgjegjësitë tonë dhe angazhimet në mënyrë që të arrijmë ta sanojmë dëmin që e ka shkaktuar kjo Qeveri dhe kryeministri Kurti”.

Protesta në Zveçan të mërkurën, foto: Radio Evropa e Lirë.
“Si grupe parlamentare të opozitës bashkërisht kemi kërkuar që ta kemi sa më shpejt një raportim të kryeministrit në Qeveri dhe në raport me aleatet tonë dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Pra, si grupe parlamentarë opozitare kemi kërkuar që në momentin që kryeministri të kthehet në Forumi të vij në Kuvend dhe të raportoj sepse nuk ka asnjë kuptim që të mbahen seanca të tjera pa e pasur një raportim nga ana e kryeministrit”, ka thënë Tahiri.

Është dita e pestë me radhë që serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore