Shqipëria

‘Kutia e burgut’ – Një nen e kthen rezultatin e Rrogozhinës, opozita duhet të marrë mandatin


“Shumë faleminderit. Pavarësisht se fituam, realisht mesazhin e kemi marrë dhe është një mesazh që duhet të ulim kokën dhe të punojmë më fort”.

Ky do të ishte reagimi i parë, pas fitores shumë të ngushtë në Rrogozhinë nga ana e Partisë Socialiste, me kandidatin Edison Memolla, përballë rivalit opozitar Shkëlqim Hoxha.

Teksa, drejtuesi politik socialist i qarkut Tiranë, Erion Veliaj, e emërtoi si një “fitore përulëse” dhe besim të dhënë për të treguar çfarë kërkohet nga socialistët.

Do të qëndronte e gjitha, po të mos ishte një kuti votimi, e cila përkon me atë të dalë prej burgut të Rrogozhinës.

Bëhet fjalë për qendrën me numër 2224/1, e cila përmbysi gjithçka në çastin e fundit dhe i dha Memollës fitoren.

Rezultati aty ishte me 80 vota ndryshim, ku PS-ja kishte 92 dhe Bashkë Fitojmë, 12.

Shkëlqim Hoxha, i cili udhëhequr garën që prej fillimit të numërimit, e pa veten humbës me 30 vota, sipas pasqyrimit të tabelës zyrtare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në fakt, është bërë lajtmotiv i pas 14 majit që demokratët të akuzojnë Qeverinë për vjedhje votash dhe manipulim të sistem.

Mirëpo, ndryshe nga shumë bashki ku fitorja e të majtëve ka qenë tepër e thellë për t’u kundërshtuar, në Rrogozhinë është përtejse çështje e një ndryshimi të pakët votash, edhe aspekt ligjor, i cili është kapur nga demokratët dhe do të përdoret për të rimarrë drejtimin e bashkisë…me të drejtë.

Bëhet fjalë për nenin 165 të Kodit Zgjedhor, ku përshkruhet qartë se kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë, zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë nga zgjedhësit me vendbanim në territorin e bashkisë.

Në rastin personave të dënuar, të cilët po kryejnë kohën e përcaktuar në burg (konkretisht atë të Rrogozhinës), ata janë të mbledhur aty nga gjithë Shqipëria dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, parashtron shumë qartë edhe gjithë dinamikën që duhet ndjekur në të tilla çështje.

Në zgjedhjet vendore, sipas arsyetimit kushtetues, synohet një lidhje më e ngushtë midis zgjedhësit dhe të zgjedhurit për vetë natyrën e organizimit dhe kompetencave të pushtetit lokal.

Ndaj, sipas nenit 12 të Kodit Civil, banimi është vendi ku personi, për shkak të punës apo të shërbimit të përhershëm, të ndodhjes së pasurisë apo te realizimit të interesave të veta, qëndron zakonisht ose të shumtën e kohës.

Në këtë këndvështrim, duket me vend që neni 63/3 i Kodit Zgjedhor e lidh ushtrimin e të drejtës së votës për të burgosurit me konceptin e vendbanimit dhe jo me vendin e vuajtjes së dënimit ose vendqëndrimin.

Kështu, Kushtetuesja çmon se në një rast të tillë, kushtëzimi i të drejtës së votës me konceptin e “vendbanimit” në përmbajtjen e dispozitës së nenit 63/3 të Kodit Zgjedhor nuk e bën atë antikushtetuese.

Përkundrazi, ai garanton shprehjen direkte të vullnetit të zgjedhësit për drejtuesit e njësisë vendore ku ai banon.

Kutia e fundit e Rrogozhinës, e cila është edhe përcaktuese e zgjedhjes së Memollës në krye të bashkisë për një mandat tjetër, është kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë përcaktuese edhe pse e tillë nuk duhet të ishte.

Mbi të gjitha, edhe nëse arrihet të ketë përzgjedhje se cili prej të burgosurve mundet të votojë në Bashkinë Rrogozhinë sepse është vendbanues aty, votat nuk mundet të numërohen se për kë mundet ose jo të kenë shkuar, sepse janë të fshehta.

Aq më tepër, të merren si të mirëqena se janë të tilla dhe të certifikojnë rezultatin.

Mbi këtë premisë dhe në këtë linjë arsyetimi të mësipërme, koalicioni Bashkë Fitojmë ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një ankesë drejtuar Komisionit të Ankimit dhe Sanksioneve, për të kërkuar zhvlerësimin e kutisë së burgut.

Në rast se KAS nuk vendos pro kësaj rrjedhe, atëherë çështja mund të shkojë në Kolegjin Zgjedhor dhe nëse as këtu nuk merr zgjidhje burime të Albanian Post pranë koalicionit opozitar, kanë bërë me dije se çështja do të ankimohet për të shkuar në rivotim në gjithë bashkinë.

Nëse do të ngjajë kështu, duhet parë fillimisht procesi në KQZ dhe KAS e Kolegji, kanë përballë një zgjidhje që sado e vështirë të duket, i jep Bashkë Fitojmë bashkinë e saj në rang vendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore