Shqipëria

Kushtetuesja nuk kalon për shqyrtim kërkesën për “drejtuesin e Akademisë së Shkencave”


Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ka vendosur që mos të kalojë për shqyrtim kërkesën e deputetëve demokratë lidhur me postin e Skënder Gjinushit si drejtues i Akademisë së Shkencave, për arsye procedurale.

Lajmi u bë i ditur nga përfaqësuesja demokrate Ina Zhupa, e cila e konsideroi si anti-kushtetuese drejtimin e Gjinushit.

Sakaq, ajo bëri të ditur se do t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese përmes një kërkese të re.

Kjo, në lidhje me papajtueshmërinë e ushtrimit të funksionit të Kryetarit të Akademisë së Shkencave si dhe verifikimin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë.

Sipas saj, Akademia e Shkencave drejtohet nga një person që është vendosur në kundërshtim me kërkesat e Kushtetutës dhe ligjit, pa një akt emërimi të nxjerrë nga organi kompetent që parashikon Kushtetuta, duke bërë të mundur që ky mandat anti-kushtetues të ushtrohet për gati katër vite.

Deputetja demokrate, në një deklaratë para Gjykatës Kushtetuese në dhjetorin e vitit të kaluar do të hidhte akuza për drejtuesin e Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi se qëndronte në atë pozitë në kundërshtim me ligjin, pasi është i padekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

“Ilir Meta kur ishte në krye të Presidencës ka evidentuar shkelje kur është çuar për emërim emri i Skënder Gjinushit”, tha Zhupa. “Të shpallet pezullimi i menjëhershëm i Gjinushit”.

Kujtojmë që, Skënder Gjinushi u zgjodh në krye të Akademisë së Shkencave në vitin 2019 me 35 vota pro dhe 6 kundër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore