Shqipëria

Kushtetuesja: Masa e herësit, joproporcionale


Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë lidhur me pikën 3 të nenit 163 të ligjit për zgjedhjet, e cila parashikonte përcaktimin e fituesit nga thyerja e ‘herësit’, duke mos e hequr plotësisht këtë të fundit.

Me 6 vota pro dhe vetëm 1 gjyqtar në pakicë, Kushtetuesja sqaroi se masa e ‘herësit’ nuk është proporcionale si mënyra për të patur vlerë vota parapëlqyese në përcaktimin e kandidatëve fitues.

Gjykata Kushtetuese shtoi se do të vendoset një prag i ri dhe kandidatit nuk do t’i duhen më 10 mijë vota për të thyer herësin.

Reagimi i Astrit Patozit

“Tani që vendimi i Gjykatës Kushtetuese u zbardh, nuk ka më asnjë dyshim se herësi i Damianit është përmbysur dhe ky është një lajm i mirë për Shqipërinë”, shkruan Patozi në reagimin e tij në Facebook.

Ai shtoi se tani mund të qetësohen edhe ata, që pritën me gjak të ngrirë, se mos u përmbysej bota, në rast se korrigjimet në Kodin Zgjedhor do të aplikoheshin që me këto zgjedhje. Natyrisht, edhe kryetarët që i hartuan të mbyllura listat e deputetëve.

Më tej Patozi shkruan se tek e fundit në këtë vend do të votohet prapë, ndoshta shumë shpejt, dhe ky nuk është një shërbim i vogël. Sigurisht, në rast se ustallarët e deformimeve të mëdha në Shqipëri nuk do të ulen sërish, për ta kthyer gjithçka nga e para.

Ai nuk lë as thumbimet kundrejt kryedemokratit Basha, duke thënë se “ata kanë shprehur gatishmërinë për një reformë të re zgjedhore, duke filluar nga shtatori, që do të thotë marrëveshje me autorët e masakrës elektorale të 25 prillit”.

Patozi e përmbyll deklaratën e tij duke thënë se mbi të gjitha, “edhe sepse nuk është vetëm kjo ngjarje që po konsumohet në ambjentin tonë politik dhe institucional gjatë kësaj vere tmerrësisht të nxehtë, ndaj ia vlen të shpresojmë”.

Fabian Topollaj

Një nga ekspertët ligjorë pranë partisë “Bindja Demokratike”, e cila ishte një nga kërkueset e rishikimit të “herësit”, reagoi lidhur me vendimin e Kushtetueses.

Ai shkruan se Kushtetuesja ka rrëzuar herësin si e vetmja mënyrë për të patur vlerë vota parapëlqyese në përcaktimin e kandidatëve fitues.

Sipas tij, kjo do të thotë se pasi kanë gjykuar që vota preferenciale gëzon të gjitha karakteristikat e votës parashikuar nga neni 45 i Kushtetutës, përfshi dhe barazinë, pra pasi e kanë konsideruar atë si të drejtë themelore, kanë gjykuar se Kodi mund të kufizojë një të drejtë themelore.

Topollaj nënvizon se masa e herësit, parashikuar nga neni 163 i Kodit Zgjedhor, është një kufizim krejtësisht jo-proporcional.

“Ndaj dhe për këtë arsye kanë rrëzuar si antikushtetues herësin e parashikuar nga pika 3 e nenit 163 të ligjit për zgjedhjet”, shkruan më tej Topollaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore