Lajme

Kushtetuesja: Akoma s’ka vendim për Ligjin ndaj Këshillit Prokurorial


Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës akoma nuk ka vendosur për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula në një përgjigje për Albanian Post ka thënë se informatat e publikuara në disa media lidhur me këtë çështje “janë të pasakta”.

“Informatat e publikuara sot në disa portale përkitazi me vendimmarrjen e Gjykatës në këtë rast janë të pasakta. Gjykata nuk ka vendosur ende lidhur me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës”.

“Gjykata është duke e trajtuar këtë rast me seriozitetin dhe përkushtimin më të lartë, dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Dulës për AP.

Të enjten e 23 shkurtit në media u publikuan informacione se Gjykata Kushtetuese ka gjetur disa pika të Ligjit për Këshillin Prokurorial që bien ndesh me kushtetutën e vendit.

Ky ligj ishte dërguar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Gjykatën Kushtetuese në korrik të vitit 2022, pasi të njëjtit pretendonin se ndryshimet e bëra në ligj, janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Më 9 mars, Qeveria e Kosovës në mbledhje ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ky ndryshim i Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës është i nevojshëm që të reformohet sistemi prokurorial.

Ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, janë miratuar më 14 prill të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore