Shqipëria

Kushi viziton UPT-në dhe shmang bojkotin e pedagogëve


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka shmangur sërish bojkotin e pedagogëve duke zgjedhur të vizitojë ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës.

Kjo, për të uruar të gjithë studentët e pedagogët në Shqipëri për fillimin e vitit të ri akademik.

“Vlerësuam rëndësinë që kanë investimet në infrastrukturën e kërkimit shkencor për t’i kthyer këto qendra laboratorike në vende ku diskutohen projekte, krijohen partneritete e zhvillohen ide novatore, në mbështetje të pedagogëve, studentëve, bizneseve dhe zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë”, shkruan Kushi në median sociale Facebook.

Sipas saj, mbështetja qeveritare do të vazhdojë pa u ndalur me buxhet dhe politika të fokusuara në rritjen e cilësisë për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Më herët, pedagogët e Universitet të Tiranës, e kanë nisur vitin e ri shkollor mes bojkotit dhe protestave.

Ata kanë bërë me dije se do t’u qëndrojnë deri në fund kërkesave që kanë shpalosur.

Kreu i Sindikatës së pedagogëve, Aleksandër Kovaçi u shpreh se bojkoti do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave.

I vetmi universitet publik, i cili do të vijojë normalisht mësimi do të jetë ai i Mjekësisë.

Rektori Arben Gjata deklaroi më herët se ky fakultet do të nisi normalisht me ceremoninë e dhënies së bluzave të bardha studentëve të rinj dhe me betimin e Hipokratit.

Në lidhje me rritjen e pagave, 7 për qind të miratuar nga qeveria, Gjata u shpreh se kanë nisur diskutimet me bordin për rritjen deri në limitin 15 për qind që ka vendosur qeveria.

Çfarë kërkojnë pedagogët?

Pedagogët kërkojnë rritje 50 për qind të pagave bazë sipas titujve shkencorë në dy faza, vlerësime për vjetërsinë në punë mbi 15 vjet dhe për orët e mbingarkesës shtesë në mësimdhënie, rritje të financimit për kërkimin shkencor, rivlerësim të orës mësimore leksion e seminar, rishikim të tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës shtesë, si dhe transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.

Me rritjen prej 7 për qind, paga bruto e një lektori nga 90 mijë lekë bëhet 96 mijë lekë, e asistent lektorë nga 73 mijë shkon në 78 mijë lekë, ndërsa paga e një pedagogu me titullin profesor nga 121 mijë në 129 mijë lekë në muaj.

Protestuesit i kanë dërguar qeverisë një peticion me 9 kërkesa një muaj më parë, të nënshkruar nga mbi 85 për qind e pedagogëve në Tiranë e rrethe.

Ata thonë se ato janë të njëjtat kërkesa që qeveria socialiste i ka mbi tryezë qysh nga viti 2019, dhe nuk i plotëson, ndërsa gjendja e tyre sa vjen e rëndohet, aq sa aktualisht ata paguhen vetëm 5 euro për një orë leksioni dhe pagat e tyre dhe fondet për kërkim shkencor janë shumë më të ulëta në krahasim me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe pakrahasimisht të ulëta me vendet e Bashkimit Evropian.

Qeveria nxiti universitetet që, falë autonomisë së tyre, të shtojnë të ardhurat dhe fondet e tyre përmes projekteve dhe aplikimeve ndërkombëtare, duke përfituar më shumë para përmes punës së tyre konkrete shkencore.

Autoritetet shqiptare miratuan javën e kaluar një rritje prej 7 për qind të pagave në universitete dhe u krijoi mundësinë ligjore për një rritje të mëtejshme prej 8 për qind nga të ardhurat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore