Shqipëria

Kushi takohet me krerët e bashkive: Bashkëpunimi për arsim cilësor, në fokus


Ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Evis Kushi, të enjten e 28 tetorit ka zhvilluar një takim me krerët e bashkive, ku diskutoi për thellimin e bashkëpunimit për një arsim më cilësor.

Kushi iu bëri me dije se është thelbësore marrëdhënia e ngushtë e MAS-it me bashkitë në të gjithë vendin për të zgjidhur problemet kryesore në lidhje me të gjitha institucionet arsimore në vend.

Më tej ata diskutuan që nga ana e kryetarëve të bashkive të sigurohej infrastruktura e përshtatshme në shkolla për fillimin e stinës së ftohtë të dimrit.

Një tjetër çështje që diskutuan kishte të bënte me transportin e nxënësve dhe mësuesve. Si edhe garantimi i kushteve higjieno-sanitare e atyre të ngrohjes.

Në lidhje me sigurimin e transportit për nxënësit, Ministrja Kushi ka nënvizuar se këtë vit do të ketë një rritje të kuotës mbështetëse me 50%.

Gjithashtu Kushi ngriti dhe problemin e klasave kolektive ku iu bëri thirrje krerëve që të sensibilizojnë prindërit për transferimin e nxënësve në shkollat qendrore më të afërta me qëllim një arsimim më cilësor.

Ndërkohë, Ministrja përmendi edhe punësimin e mësuesve ndihmës dhe psikologëve edhe në arsimin parashkollor – vetëm nëpërmjet portalit sipas kuadrit ligjor.

Theksi u vendos te bashkëpunimi i ngushtë me bashkitë për moslejimin e braktisjes së shkollës nga nxënësit.

Ndër të tjera Kushi solli në vëmëndje se këtë vit u pilotua regjistrimi nëpërmjet portalit për nxënësit e klasave të para dhe të dhjeta.

“Vitin e ardhshëm shkollor regjistrimi pritet të bëhet në të gjithë territorin, prandajnkërkoj një bashkëpunim të ngushtë me bashkitë për përcaktimin sa më të saktë të zonave të çdo institucioni arsimor ku nxënësit do të regjistrohen”, iu tha ajo kryetarëve.

Ndërkaq u diskutua dhe për sigurinë në shkolla dhe bashkëpunimi me policinë. Po ashtu edhe bashkëpunimi me bashkitë për ambientet sportive dhe institucionet arsimore.

“Shkollat duhet të kthehen në qendra burimore”, ritheksoi Kushi.

Në përfundim të këtij takimi MAS-i dhe Bashkitë u dakorduan të vazhdonin mbështetjen për shkollat si “Qendër Komunitare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore