Shqipëria

Kushi: Është pushuar menjëherë nga puna mësuesi i dënuar për pedofili


Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka reaguar lidhur me punёsimin e njё mёsuesi nё shkollën 9-vjeçare “22 Tetori”, në qytetin e Beratit, i cili në vitin 2003 është dёnuar nën akuzën e pedofilisë.

Ministrja bëri me dije se është realizuar pushimi i menjëhershëm e tij nga puna, si dhe dënoi autoritetet e gjykatës, për mundësimin e rilidhjes së kontratës për rastin e rëndë në fjalë.

“Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2003 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë në mjediset e shkollave. Ky person është larguar nga detyra dhe kemi nisur gjhithashtu një hetim administrativ”, tha e revoltuar Kushi.

E revoltuar, Kushi njoftoi se, do të merren masat ndëshkuese për personat përgjegjës që kanë lejuar rikthimin e tij në punë, teksa u shpreh se nuk do të ketë asnjë tolerim për askënd që cënon mirëqenien e fëmijëve.

Duke pёrmbyllur postimin e saj, ministrja ravijëzoi se, po rishikohet e gjithё baza dhe nёnligjore me qёllim forcimin e rregullave në institucionet e mësimdhënies.

Teksa u bёri gjithashtu thirrje prindёrve, mёsuesve dhe nxёnёsve pёr tё denoncuar çdo rast që cenon dhe rrezikon, të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve në shkollë apo jashtë saj.

“Për ne mbrojtja e nxënësve është e shenjtë dhe nuk tolerojmë askënd që cënon mirëqenien e tyre. Ndërkohë, ne në MAS do të rishikojmë menjëherë bazën ligjore dhe nënligjore. Ju lutem të gjithëve, denonconi çdo rast që cënon, apo dyshoni se rrezikon, të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve në shkollë apo jashtë saj”

Më herët, deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Ina Zhupa, e cilësoi si kriminale sjelljen e institucioneve arsimore në pranimin e një mësuesi të dënuar me rekordin e pedofilisë dhe ngacmime seksuale.

“Të tilla vendimmarrje janë shenja e pastër sa seriozisht e kane në parandalimin e këtyre ngjarjeve monstruoze! Ministrat nuk kanë detyrë të shprehen thjesht keqardhje kur ndodhin rastet por të bëjnë punën e tyre që ti shmangnin abuzimin me fëmijët”, tha Zhupa duke kërkuar publikisht largimin nga puna të mësuesit në qytetin e Beratit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore