Lajme

Kush e ndërpreu internetin e Kim Jong-un?


Gjatë dy javëve të fundit të janarit, në Korenë e Veriut u vu re se interneti po ndërpritej shpesh.

Ndërprerja e internetit për Kim Jong-un do të thoshte bujë e madhe, sidomos nga raportet të cilat shkruanin se një “sulm kundër serverëve të Koresë së Veriut la të gjithë vendin pa internet”.

Koha e këtyre sulmeve përkoi me grupin e fundit të testeve të raketave. Ndërprerja e internetit erdhi pak ditë pasi u zhvillua testi i pestë i raketave.

Prandaj, nuk duhet të jetë befasi që gishti, si fajtor për këto sulme kibernetike, të drejtohej nga vendet e Perëndimit dhe kryesisht SHBA-ve.

 

Kush e ka hakuar internetin e Kim Jong-un?

Po sikur të mos ishte një agjenci apo një shtet i tërë që e ka kryer hack-imin, por një hacker i vetëm, me qëllim hakmarrjeje?

Në një intervistë për revistën “Wired”, një hacker amerikan, i identifikuar si P4x, pretendon se është personi pas ndërprerjes së internetit të Koresë së Veriut.

Sipas artikullit të Wired, P4x dëshironte t’i dërgonte një mesazh qeverisë së Koresë së Veriut.

“Unë dua që ata të kuptojnë se nëse na sulmojnë, kjo do të thotë se një pjesë e infrastrukturës së tyre do të prishet”, tha ai.

Hakmarrja është një sulm kibernetik, që “serviret” e ftohtë

Megjithatë, ngjarja që shkaktoi gjithë këtë situatë, i kishte fillimet një vit më parë.

Në janar të vitit 2021, “Forbes” raportoi se si hacker-at e Koresë së Veriut kishin shkelur mbrojtjen e Microsoft Windows dhe Google Chrome për të sulmuar studiuesit e sigurisë amerikane.

Pra, pse priti P4x një vit para se të hakmerrej?

Ai tha se, edhe pse fushata e hacker-ëve që shënjestronte studiuesit e sigurisë kishte qenë e pasuksesshme, e kishte lënë hacker-in amerikan “thellësisht i nervozuar”.

Kjo, jo vetëm duke qenë se ishte shënjestër e sulmit korean, por edhe nga “mungesa e reagimit të dukshëm nga qeveria e SHBA-ve”.

Pasi kishte marrë kohën e tij dhe kishte kryer një test depërtimi kundër sistemeve të infrastrukturës së internetit të Koresë së Veriut, ai kishte gjithçka që i nevojitej për të nisur sulmet.

Këto dobësi gjenden në serverë dhe ruterë që ishin kryesisht përgjegjës për lidhjen e botës së jashtme me faqet e Koresë së Veriut, si dhe shërbime të tilla si e-maili.

Rreziku vazhdon

P4x tha se, për të, ishte gjëja e duhur për t’u bërë sepse “nëse ata nuk shohin se ne kemi dhëmbë, sulmet do të vazhdojnë”.

Aktiviteti i tij i ndërhyrjes në serverat korean mund të mos ketë përfunduar ende. I njëjti artikull sugjeron se P4x mund të “përpiqet të hack-ojë në sistemet e Koresë së Veriut”, në mënyrë që të “vjedhë informacionin dhe ta ndajë atë me ekspertët”.

“Vigjilentizmi ose hacktivizmi në internet është një lojë e rrezikshme”, paralajmëroi Ian Thornton-Trump, ish-operativ i inteligjencës ushtarake kanadeze, “sidomos kundër një shteti”.

Thornton-Trump vuri në dukje se Koreja e Veriut tashmë ka aftësi të konsiderueshme kibernetike dhe i mungon kufizimi moral ose etik, që do të thotë se mund të pritet një hakmarrje e një forme apo tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore