Lajme

Kusari-Lila: Policia e Kosovës do të mbetet në Veri


Shefja e grupit parlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se Policia e Kosovës do të mbetet në komunat veriore.

Ajo ka thënë se në situata ku ka rrezikshmëri të lartë kudo që të jetë ajo, policia e Kosovës do të qëndrojë aty.

“Asnjë hap të asaj çfarë ka ndodhur nga nëntori e deri në qershor nuk kanë qenë nga institucionet e vendit që kanë ndaluar ose kanë kushtëzuar, kanë kërcënuar ose kanë ndaluar për pjesëmarrje në zgjedhje ose për mbarëvajtje të një procesi demokratik”.

“Policia dhe njësia speciale do të jetë aty në situata kur ka kërcënim të sigurisë, apo kur ka nevojë për prezencë të tyre”, ka deklaruar ajo.

Teksa për personat të cilët kanë përdorur dhunë gjatë protestave ndaj gazetarëve, policëve e pjesëtareve të KFOR-it, Kusari-Lila ka pohuar se ose do të kthehen në Serbi ose do të arrestohen në Kosovë, zgjidhje tjetër nuk ka.

“Sa i përket arrestimit apo ndalimit të personave që janë identifikuar si shkaktarë të dhunës në momentin kur ata ndalohen, ata do të arrestohen. Një numër i tyre i konsiderueshëm ishin me shtetësi serbe, në rast se nuk dëshirojnë të arrestohen në Kosovë, ata kthehen atje prej nga kanë ardhur”.

E pyetur nga gazetarët nëse do të përsëritën zgjedhjet dhe a do të japin dorëheqje kryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje, ajo ka thënë se procedurat për përsëritje të zgjedhjeve janë të ditura.

Madje, ajo i paraqiti këto procese edhe një herë para gazetarëve.

“Sa i përket kërkesës për përsëritje të zgjidhjeve dihen procedurat cilat janë për përsëritje të zgjedhjeve. Njëra është më dorëheqje të kryetarëve, tjetra është me mbledhje të nënshkrimit të listës votuesve, dorëzimi e pastaj shqyrtimi nga Ministria e Administrimit Pushtetit Lokal dhe vendosja për datën e zgjedhjeve”.

Për kushtet e Listës Serbe që protestuesit të largohen ajo rikujtoi se largimi i tyre nga institucionet nuk është bërë për shkak të Kosovës.

“Largimi i tyre nga institucionet nuk u bë nga askush në Kosovë, por më kërkesë nga Beogradi”.

“Gjithsesi në cilëndo formë mbetet të shihet, por duhet të jetë në forma dhe metoda demokratike të parapare me ligj”, ka thënë ajo.

Përveç situatës në Veri, shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje u deklarua edhe për mbajtjen e seancave gjatë kësaj jave.

Ajo pohoi se do të mbahen dy seanca.

“Për këtë datë u dakorduan dy seanca, e para është të mërkurën seancë kjo që do të trajtojë seancat e 23 shkurtit, ndërsa të enjten do të mbahen dy seanca, njëra është për miratimin e reformave zgjedhore, ndërsa tjetra do të jetë për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për NBC NEWS, të premtën ka paralajmëruar zgjedhje në Veri, por kjo, sipas tij, do të ndodhë me kusht që fillimisht banditët që shkaktuan dhunë në protesta të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar zgjedhje të reja në Veri pas tensionimit të situatës tash e 8 ditë në Veri, ku po mbahet protesta nga serbët lokal.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten, me vendim të kryeministrit Albin Kurti realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera partnere të QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), e kanë bërë fajtore Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore