Lajme

Kusari-Lila: Në Bruksel po diskutohen transferet që vijnë si ndihmë nga Serbia, jo çështje tjera


Mimoza Kusari - Lila

Ndonëse një çështje e brendshme e Kosovës siç është ajo e rregullores së Bankës Qendrore e Kosovës është bërë temë e procesit të dialogut, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila ka potencuar se në Bruksel po diskutohet për çështje krejt teknike – transferet të dedikuara për komunitetin serb në Kosovë që vijnë si ndihma nga Serbia, e jo për tema të tjera në kuadër të rregullores së BQK-së.

“BQK-ja është institucion i pavarur i zgjedhur sipas ligjeve në fuqi prej Kuvendit të Republikës, i raporton Kuvendit, prandaj e vetmja çështje e cila diskutohet mund të jetë transferi i mjeteve që behën nga nja Bankë që në Serbi quhet Banka Popullore te Banka Qendrore e Kosovës”, ka thënë ajo.

Duke ju përgjigjur kritikave të opozitës se LVV-ja është duke shkelur premtimet se çështjet e brendshme nuk do të diskutohen ne dialogun me Serbinë, Kusari-Lila ka potencuar se në këtë rast nuk ka shkelje të premtimeve, por realizim të mandatit të plotë dhe të ushtrimit të detyrës të secilit institucion.

“Jo, në fakt nuk e shohë shkelje të premtimeve e shohë realizim të mandatit të plotë dhe të ushtrimit të detyrës të secilit institucion, prej institucioneve të pavarura siç është BQK-aj e deri te qeveria e Republikës si institucioni ekzekutiv përgjegjës për dialogun ashtu siç është paraparë edhe e thënë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ajo.

Në Bruksel të martën ka përfunduar takimi i përbashkët mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Petar Petkoviç, shef i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, njëherësh kryenegociator i palës serbe në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, pas takimeve të së martës në Bruksel për çështjen e dinarit, insistoi që diskutimet për këtë çështje të bëhen në nivel politik.

Në një prononcim për gazetarë pas takimeve që u zhvilluan të martën kryenegociatori serb e cilësoi ndalimin e dinarit serb “vendim politik” të Qeverisë së Kosovës, qëllimi i së cilës është “dëbimi i serbëve” nga territori i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore