Lajme

Kurti: Vrasësit e Gjingjiç-it janë kriminelë lufte edhe në Kosovë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka kujtuar ish-kryeministrin serb, Zoran Gjingjiç, në 20-vjetorin e vrasjes së tij, duke thënë se ishte ndër liderët e rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Sllobodan Millosheviç-in.

“Qeveria e Serbisë do të ketë qenë duke e menduar tashmë shënimin e 100 vjetorit të vrasjes makabre të mbretit Aleksandar Obrenoviq, gruas së tij e dy vëllezërve të tij, kryetarit të qeverisë dhe ministrit të tij të ushtrisë”.

“Dy muaj e gjysmë ishte larg ky përvjetor shekullor, kur u vra kryeministri Zoran Gjingjiq, ndër liderët politikë të rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin ndonëse nuk e zgjidhi ndonjëherë kundërthënien ndërmjet liberalizmit (perëndimor) dhe nacionalizmit (serb)”, shtoi Kurti.

Nën urdhërat e Milorad “Legija” Ulemek, ish-komandant i një njësie speciale të policisë sekrete të Jugosllavisë, Gjingjiç ishte vrarë. Vrasësi quhej Zvezdan “Zmija” Jovanoviç. Ulemek dhe Jovanoviç janë dënuar me nga 40 vjet burgim.

Kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se këto të dy janë edhe kriminelë lufte në Kosovë, organizatorë e ekzekutorë masakrash mbi shqiptarët, e bashkë me Goran Radisavljeviç – Gurin, thuhet se janë edhe pjesëmarrës në shtet-rrethimin e Jasharëve në Prekaz.

“Krimi i organizuar, krimet e kryera gjatë luftës dhe diktatura shoviniste ecin bashkë”, nënvizoi kryeministri Kurti, teksa gjithashtu shtoi se Gjingjiç ishte demokrat dhe se në dy shekuj ekzistencë, Serbia i kishte dy vjet demokraci.

“Gjingjiç ishte demokrat në rrethanat e asaj kohe ndërkaq për nga formimi intelektual e orientimi filozofik, edhe kur ka lëvizur a ndryshuar, ishte tejet i ndikuar nga Shkolla e Frankfurtit së cilës ia kishte borxh mendimin kritik të qëndrimit opozitar”.

“Për Gjingjiç-in sot në Beograd do të ketë shumë pikëllim të shtirur e lotë të rrejshëm. Koha që rrodhi pas tij, shtoi peshë në anën e kundërt të demokracisë. Koha që po vjen, nuk duket se do ndryshojë gjë së shpejti atje”, përfunudoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore