Lajme

Kurti u përfshi në fushata njollosëse për ta minuar besimin ndaj mediave, thotë raporti i DASH-it


Albin Kurti

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për vitin 2023 për Kosovën në pjesën e lirisë së mediave e ka përmendur edhe vetë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për përfshirjen e tij në fushata njollosëse për ta minuar besimin e publikut ndaj mediave.

“Asociacioni i Gazetarëve në Kosovë raportoi se ishte shënjestruar disa herë nga fushatat e shpifjeve dixhitale kur mbronte gazetarët dhe mediat. AGK raportoi se zyrtarë qeveritarë, duke përfshirë kryeministrin dhe anëtarët e partisë politike në pushtet, ishin përfshirë në fushata shpifëse për të minuar besimin e publikut ndaj mediave”, thuhet në raport.

Në Kosovë ka korrupsion serioz qeveritar thuhet ndër të tjera në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit e publikuar të hënën e 22 prillit.

Në përmbledhjen fillestare të raportit përmenden të gjeturat kryesore dhe aty thuhet se në Kosovë ka “probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit”, pastaj “kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve” dhe gjithashtu “korrupsion serioz qeveritar”.

Raporti flet edhe për “dhunë të gjerë me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në familje ose nga partneri intim; dhe krime që përfshijnë dhunë ose kërcënime për dhunë që synojnë pakicat etnike ose komunitetet e tjera të margjinalizuara”.

Sipas raportit Qeveria e Kosovës ka marrë hapa, por ata ishin “jokonsistent për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore