Lajme

Kurti tregon se si arritën t’ia mbathin terroristët, mohon se kanë bërë marrëveshje me EULEX-in dhe KFOR-in


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur gjërë e gjatë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre pjesëtarë të grupit terrorist në krye me Milan Radoiçiçin, kriminelin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Ai ka mohuar në mënyrë kategorike se Qeveria e Kosovës, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) apo Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), kanë negociuar me terroristët serbë për t’u mundësuar atyre një korridor arratisjeje, derisa ka shpjeguar edhe arsyen që, sipas tij, disa nga terroristët serbë arritën t’ia mbathin në drejtim të Serbisë.

“Askush nuk e ka kërkuar dhe askush nuk mund ta kërkojë. Unë jam kryeministër demokrat i një shteti sovran dhe nuk bëjmë marrëveshje të tilla. Askush nuk më ka kërkuar që ta bëj këtë, as nuk është e mundur sepse ata e dinë përgjigjen time paraprakisht. Mendoj se as KFOR-i dhe as EULEX-i nuk janë të përfshirë në ndonjë marrëveshje të tillë”, tha kryeministri Kurti.

“Terroristët kanë ikur sepse terreni është shumë kodrinor dhe ka një vijë kufitare shumë të gjatë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka pohuar shefi i qeverisë kosovare, ndërsa ka folur edhe rreth mundësisë që KFOR-i ta marrë kontrollin e pjesës veriore të territorit të banuar me shumicë serbe, veçanërisht pas rritjes së tensioneve në këtë zonë që assesi të gjejë prehje.

Në një intervistë për mediumin boshnjak “Istraga”, ai tha se tashmë është e qartë se Serbia ka dhënë urdhër për të sulmuar Kosovën, porse pas reagimit efikas të njësive elitare policore në parandalimin e planeve të mëtejme të këtij grupi, autoritetet në Beograd e kanë kuptuar se nuk kanë asnjë shans kundër Policisë së Kosovës dhe se të njëjtit do të përballen me drejtësinë.

“Këto janë forca profesionale që kanë luftuar kushedi se ku më parë dhe tani kanë ardhur të luftojnë në Kosovë. Kosova është një shtet paqësor, demokratik dhe sovran, që nuk mund të lejojë sulme të tilla dhe do të duhet të përballen me drejtësinë e të ndëshkohen për vrasjen e Afrim Bunjakut dhe për shkeljen e ligjit dhe rendit tonë kushtetues dhe publik”.

Në intervistën e tij që është transmetuar edhe në televizionin boshnjak “Hayat Tv“, kryeministri Kurti ka kujtuar se tashmë ekziston një zinxhir treshtresor i reaguesve në fushën e sigurisë: Policia e Kosovës është reaguesi i parë, forcat e EULEX-it janë reaguesit e dytë dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it janë reaguesit e tretë.

“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai është shprehur i kënaqur edhe me reagimin e SHBA-ve dhe BE-së, të cilët, sipas tij, tashmë “ngadalë por me siguri” po e shohin dhe po e dënojnë ashpër këtë “tentativë kriminale e terroriste të Serbisë, një akt agresioni, me të cilin duan të destabilizojnë Kosovën”, një qasje krejt ndryshe në krahasim me situatën kur ishin rrëmbyer tre policë kosovarë përgjatë vijës kufitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore