Lajme

Kurti tregon 24 vendimet e marra në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar për 24 vendimet që janë marrë në mbledhjen e Qeverisë të kësaj të mërkure.

“Për mbrojtje të konsumatorit dhe të konkurrencës, miratuam udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme. Nafta do të ketë çmim tavan që varet nga mesatarja e furnizimit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar se kanë rilokuar 3 milionë euro për 25 projekte në komuna.

“Në kuadër të reformës së drejtësisë, miratuam koncept-dokumentin për themelimin e Fondit të Konfiskimit. Miratuam edhe dhënien në shfrytëzim të pasurive të konfiskuara për nevoja të institucioneve”.

Sipas kryeqeveritarit, për të avancuar e mbrojtur të drejtat e njeriut, nominuam përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës në Këshillin Konsultativ për Komunitete.

“Për parandalimin e trafikimit me njerëz, miratuam Strategjinë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz 2022-2026 dhe Planin e Veprimit 2022-2024. I hapëm udhë emërimit të Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me shfuqizimin e vendimit paraprak”, shtoi ai.

Po ashtu sipas tij, është miraktuar hartimi i Planit Hapësinor të Kosovës dhe Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe Planin e Veprimit të Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030.

“Për realizim të projekteve infrastrukturore të Ministrisë së Mbrojtjes, miratuam shpronësimin e pronave të paluajtshme brenda Lokacionit të Aeroportit të Gjakovës”.

Kurti ka potencuar se në frymën e thellimit të miqësisë me partnerët ndërkombëtarë, ‘miratuam Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit mbi Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane’.

“Për zgjerimin e  bashkëpunimit për zhvillim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, miratuam dy nisma, po ashtu, edhe dy të tjera për Programin IPA”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore