Lajme

Kurti thotë se më 2021 s’kishte ‘asnjë’ stacion policor në veri: Tash janë ngritur 9 stacione për kontroll dhe mbikqyrje kufitare


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, derisa përmbledhi ‘punët e kryera’ përgjatë qeverisjes tre-vjeçare, posaçërisht në aspektimin e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, tha se përderisa në vitin 2021 në pjesën veriore të Kosovës nuk ekzistonte asnjë stacion policor, ai ngriti 9 stacione për kontroll dhe mbiqkyrje kufitare.

Ai theksoi se përgjatë kësaj periudhe janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale dhe armatim e asete në vlerë rreth 15 milionë euro nga hetimet mbi sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ku u vra rreshteri kosovar Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.

“Atje tash janë ngritur 9 stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit e nuk kishte asnjë deri në vitin 2021”, shkroi kreu i ekzekutivit kosovar në një përmbledhje, ndërsa përmendi hapjen dhe funksionalizimin ‘pas 24 vjetëve’ të zyrave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar kryesisht me serbë.

Ndryshe, në këtë pjesë të Kosovës në të kaluarën janë regjistruar numër i madh i sulmeve me shok-bomba ndaj stacioneve policore. Përkundër se situata në pjesën veriore është më e qetë pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore