Lajme

Kurti thirrje qytetarëve për regjistrimin e popullsisë: Përgjigjuni pozitivisht – është përfshirë pyetësori i dëmeve të luftës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë proces ky që është shtyrë disa herë e që fillon të premtën.

Kreu i ekzekutivit para ministrave ka bërë të ditur se për herë të parë ky regjistrim do të përfshijë një pyetësor për dëmet e luftës.

“Për herë të parë në këtë pyetësor është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999, në ekonomitë familjare qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjarë, të zhdukur, të vrarë, të plagosur apo të burgosur”.

Kurti shtoi se, “ky regjistrim do të sigurojë një evidencë të së kaluarës”.

Në anën tjetër, ka bërë thirrje edhe që ekspertët e drejtësisë të aplikojnë në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës.

“Kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, për të cilën tashmë janë hapur 105 pozita aty ka shumë punë dhe do të bëjmë shumë punë”.

“Andaj, ju bëj thirrje ekspertëve të fushës që të aplikojnë në pozitat e hapura dhe të kontribuojnë në këtë proces kaq të rëndësishëm për historinë tonë dhe për të ardhmen tonë”, ka thënë ai.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.

Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë.

Por, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovë – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore