Lajme

Kurti: Të gjejmë zgjidhjen që për diplomat në shkollat tona të ketë vende pune


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me bizneset ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje që për diplomat e shkollave të Kosovës të ketë vende të punës mjaftueshme.

Ai për këtë ka thënë se është përgjegjësi si e sektorit publik edhe atij privat.

“Çështja është se si të ia bëjmë që për diplomat në shkollat tona të kemi vende pune në ekonominë tonë dhe për këtë e kemi përgjegjësinë edhe sektori publik dhe ai privat”.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka numër të madh të rasteve në Kosovë ku bizneset kanë më shumë nevojë sesa që kanë kërkesa.

Ai në një bashkëbisedim me disa nga bizneset që merren me sektorin e drurit dhe mobileve u shpreh se sa herë që nisin të flasin për ekonominë përfundojnë duke folur për arsim dhe anasjelltas.

“Ka numër të madh të rasteve në Kosovë ku bizneset kanë më shumë nevojë se sa që ka kërkesë, derisa tha se këtu Qeveria përmes politikave të saj të jap kontributin e saj në zbutjen e këtij hendeku, sepse, siç tha ai, e kemi vërejtur që sa herë flasim për ekonominë përfundojmë duke folur për arsimin, dhe sa herë flasim për arsimin përfundojmë duke folur për ekonominë”.

“Edhe kemi arritur në përfundimin që e vetmja gjë më e rëndësishme edhe se ekonomia edhe se arsimi, është lidhja mes këtyre dyjave”, deklaroi Kurti.

Diplomat universitare që mbushin Kosovën me të papunë

Në këtë takim të pranishme kanë qenë edhe ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari si dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari vlerësoi punën e Qeverisë në hartimin e strategjisë kjo pasi sipas saj “industria e Kosovës do të jetë më e integruar globalisht”.

“Ne ju falënderojmë që me ju, me imputet e tuaja kemi gjetur jo vetëm vizionin e qartë për transformim industrial deri në vitin 2030, por edhe vullnetin e juaj për të kontribuar në arsimin dhe aftësimin dual”.

Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u shpreh se vitin e kaluar për herë të parë ka filluar implementimi i sistemit duel të mësimit në katër profile.

Nagavci, potencoi se përveç me ministritë e linjës kanë bashkëpunuar ngushtë edhe me Qeverinë, odat edhe me shoqatat sektoriale.

Çdo vit nga buxheti i shtetit të Kosovës ndahen mijëra euro për shkollimin e një nxënësi apo studenti, mirëpo sërish të njëjtit kanë vështirësi për t’u përshtatur me tregun e punës.

Se përse është kjo vështirësi e punësimit të të rinjve pas diplomimit, profesorët universitarë e kishin sqaruar në forma të ndryshme, njëra ndër to ishte edhe mungesa e aftësive në praktikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore