Kosova

Kurti takon zv\presidentin e KIA-s: Jeni të mirëseardhur për të investuar


Albin Kurti dhe Jun Young Choi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, janë takuar të premten me zëvendëspresidentin e kompanisë të prodhimit të automjeteve, KIA Europe, Jun Young Choi.

Siç njofton zyra e kryeministrit Kurti e njoftoi Jun-in “për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në fuqizimin e zhvillimit ekonomik, potencialin e Kosovës për investime si dhe për klimën e favorshme në Kosovë për kompanitë ndërkombëtare”.

“Kryeministri Kurti tha se kompanitë si KIA janë të mirëseardhura për të investuar në Kosovë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

“Po ashtu, Kryeministri Kurti e njoftoi Jun-in për progresin e Kosovës në të gjithë fushat, mjedisin e përshtatshëm për biznes, progresin demokratik dhe ekonomik, sundimin e ligjit dhe për politikat e qëndrueshme ekonomike të cilat janë përparësi për investitorët e huaj”.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se “gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes, Kosova ka bërë rritje të theksuar ekonomike, rritje të të hyrave, eksporteve dhe investimet e huaja direkte”.

“Gjatë takimit, kryeministri tha se Kosova nga organizatat dhe institucionet e rëndësishme ndërkombëtare është vlerësuar dhe ka shënuar progres në parametrat e sundimit të ligjit dhe të zhvillimit demokratik”, thuhet aty.

Gjithashtu, ai i ka ftuar drejtuesit e kësaj kompanie që të shqyrtojnë mundësitë që Kosova ofron për qëllimet dhe planet e kompanisë.​

Ndryshe, KIA është kompani për prodhimin e automjeteve në Korenë e Jugut

Është prodhuesi i dytë më i madh i automobilave në Korenë e Jugut, pas kompanisë së saj mëmë, Hyundai Motor Company, me shitje mbi 2.8 milionë automjete në vitin 2019. Që nga viti 2015, KIA Corporation është pakicë në pronësi të Hyundai, e cila zotëron 33.88% të aksioneve me vlerë pak më shumë se 6 miliardë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore