Lajme

Kurti takon delegacionin belg: Belgjika mbështet Kosovën në proceset integruese në BE dhe NATO


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim këtë të premte një delegacion përfaqësues të Parlamentit Federal të Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga deputeti Theo Francken.

Siç njofton zyra e kryeministrit, në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht në katër komunat në Veri dhe për dakordimin e arritur në fillim të kësaj javë për hapat drejt depërshkallëzimit të plotë të situatës atje.

Përveç kësaj, ata kanë biseduar edhe për “prezencën e delegacionit të Kuvendit të Republikës sonë në Asamblenë e NATO-s, bashkëpunimi bilateral ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Belgjikës dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes”.

“Deputetët belg konfirmuan mbështetjen e Belgjikës ndaj Kosovës sidomos në proceset integruese në mekanizmat e BE-së dhe NATO-s”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e kryeministrit.

Nga ana e tij Kurti ka falënderuar delegacionin belg për vizitën dhe “mbështetjen e tyre dhënë Kosovës dhe të shtetit belg që në vazhdimësi ka përkrahur vendin dhe shtetin tonë në gjitha fazat e shtetndërtimin dhe zhvillimit”.

“Ai i njoftoi ata me punën e institucioneve, arritjet e qeverisjes, përparimin demokratik, ekonomik dhe në sundim të ligjit, si dhe vëmendjen që qeveria i ka dhënë fushës së mbrojtjes dhe mekanizmave të sigurisë përmes ndarjeve buxhetore në dy vitet e fundit”.

Ndryshe, edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, këtë të premte gjatë ditës ka pritur në takim një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga Theo Francken, me ç’rast ka diskutuar për zhvillimet e përgjithshme politike në vend e rajon si dhe për raportet e shkëlqyre dypalëshe dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Konjufca, ndër të tjera në këtë takim, ka vlerësuar lartë përkrahjen e vazhdueshme që Belgjika i ka dhënë ndër vite Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit duke kërkuar njëherësh vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës në rrugën euroatlantike dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Parlamentarët belgë në anën tjetër kanë falënderuar Konjufcën për pritjen duke shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar, si dhe në fusha tjera me interes të përbashkët ndërmjet Mbretërisë së Beligjikës dhe Republikës së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore