Lajme

Kurti s’mund të qeverisë pa shpikur armiq, thotë Selmanaj


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të mbijetuar në politikë gjithnjë i duhet një “armik” kujdestar.

“Ky njeri nuk mundet me qeverisë pa shpikur armiq kujdestarë dhe një ditë kur qytetarët e Kosovës masivisht do të kërkojnë llogari prej tij, ky do armiqësohet edhe me vet qytetarët dhe votuesit e tij. E ajo ditë jam i bindur që po afrohet me shpejtësi”, shkroi ai në Facebook.

Sipas Selmanajt, kryeministri për t’i fshehur skandalet qeveritare, “armiq” i bënë mediat, ndërsa për ta fshehur dështimin në arsim, “armike” e bën SBASHK-un dhe për ta fshehur dështimin në shëndetësi, “armik” i bënë mjekët.

“Për ta fshehur dështimin në drejtësi, armik i bënë prokurorët e gjyqtarët; Për ta fshehur dështimin në ekonomi, armik i bënë bizneset oligarkët siç di t’i thotë ai, për ta fshehur dështimin në infrastrukturë, armik i bënë qeveritë e kaluara, Për ta fshehur dështimin dhe paditurin për draftimin e ligjeve kualitative, armike e bënë Gjykatën Kushtetuese”.

Ndërkaq sipas Selmanajt, kryeqeveritari për ta fshehur dështimin në dialog e diplomaci, “armike” i bënë ndërmjetësitë dhe gjithë bashkësinë ndërkombëtare.

Prandaj, për Selmanajn, “mosdija dhe dështimi nuk munden të fshehën me armiq të shpikur”.

“Kosova ka nevojë për zhvillim e prosperitet në çdo fushë, e jo broçkulla, e sjellje paranojake me armiq kujdestarë e të shpikur”, potencoi deputeti i LDK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore