Lajme

Kurti shprehet optimist për ndërtimin e besimit mes komunitetit serb dhe Qeverisë


Foto: Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim këtë të enjte Christoph Luettmann dhe Simone Ceresa nga organizata CSSP – Berlin Center for Integrative Mediation, me të cilët ka biseduar për ndërtimin e besimit ndërmjet qytetarëve serbë të Kosovës dhe Qeverisë.

“Temë e diskutimit ishin aktivitetet e zhvilluara në kuadër të dialogut të brendshëm dhe hapat e ndërmarrë gjatë këtyre 32 muajve qeverisje, për ndërtimin e besimit ndërmjet qytetarëve tanë nga komuniteti serb dhe Qeverisë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e kryeministrit.

Siç thuhet aty, është cilësuar i suksesshëm procesi i rifillimit të verifikimit të diplomave dhe krijimi i bazës ligjore për verifikimin e diplomave të shkollave të mesme.

“Gjithashtu, pozitive kanë qenë dhe takimet që ka mbajtur Kryeministri me shoqërinë civile serbe në Kosovë dhe vizitat e tij në lokalitetet e banuara kryesisht nga komuniteti serb”.

Foto: ZKM

Aty është përmendur edhe fakti që qeveria, përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, ka ndarë në muajin shtator të këtij viti një fond prej 3 milionë eurosh për OJQ-të, bizneset e vogla, e fermerët, “me disa prej tyre edhe është takuar Kryeministri Kurti gjatë nënshkrimit të kontratave për grantet”.

“Gjatë bisedës, u përmendën dhe emërimet e serbëve në pozita të larta të institucioneve siç është rasti i Srdjan Sentic, i zgjedhur si Zëvendës Avokat i Popullit dhe zgjedhjes brenda bordit të Trepçës të një anëtari nga komuniteti serb, Dragisa Krstovic”, potencohet aty.

Tutje, Kurti ka theksuar se buxheti për vitin 2024 për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim është rritur për 51%.

“Ai u shpreh optimist për zhvillimin e ndërtimin e besimit mes qytetarëve nga komuniteti serb dhe Qeverisë, sepse Qeveria është aty për ta, dhe me gatishmëri të plotë për të vazhduar me aktivitetet e dialogut të brendshëm e për të dëgjuar kërkesat dhe propozimet e të gjithë qytetarëve pa dallim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore