Lajme

Kurti: SHBA-të janë aleat të pazëvendësueshëm të Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit lamtumirës me ambasadorin Philip Konsett

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin aleati dhe partneri i pazëvendësueshëm i Kosovës”.

Kështu ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit lamtumirës me ambasadorin Philip Kosnett, të cilit i ka mbaruar mandati si ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

Kurti ka theksuar se “me SHBA-të përkrah, dhe me vullnetin politik të Qeverisë, Kosova do të bëhet gjithmonë e më shumë partner i qëndrueshëm i SHBA-ve dhe shtet i së drejtës dhe zhvillimit”, thuhet në komunikatën për media nga zyra e kryeministrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit lamtumirës me ambasadorin Philip Kosnett

Po ashtu, ai ka thënë se si kryeministër dhe Qeveria që udhëheqë, do të vazhdojë këtë traditë të bashkëpunimit të ngushtë dhe të veçantë SHBA-të dhe përfaqësuesit e saj në Kosovës në përmbushjen e synimeve dhe interesave të përbashkëta.

Të pranishëm në takim ishin edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi nga njëra anë dhe zëvendësambasadori amerikan Nicholas Giacobbe në anën tjetër.

Kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri Bislimi dhe shefi i stafit të Kryeministrit, Dalipi i uruan ambasadorit Kosnett suksese të mëtutjeshme në angazhimet e tij të radhës, duke ia rikujtuar se gjithmonë është i mirëseardhur në Kosovë.

Po ashtu edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim përshëndetës me  ambasadorin Kosnett, këtë të fundit e ka dekoruar me urdhrin ‘”Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë në vend.

Sipas Osmanit, puna e ambasadorit Kosnett dhe të stafit të tij janë po ashtu kontribuues të rëndësishme në drejtim të mbajtjes së Kosovës lartë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-ve.

“Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu mirënjohjen e thellë për vlerësimin e punës së tij dhe konfirmoi se raporti në mes të Kosovës dhe SHBA-ve do të jetë përherë i fort dhe i pakontestueshëm”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim përshëndetës me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett

Philip S. Kosnett u nominua nga ish- presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në korrik të vitit 2018 dhe u konfirmua nga Senati në shtator për të shërbyer si ambasadori i pestë në Republikën e Kosovës.

Ai e dha betimin si ambasador më 27 nëntor 2018 në Uashington dhe ia dorëzoi letrat kredenciale ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit më 3 dhjetor.

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett

Ai ka shërbyer si zëvendës-shef i Misionit në Uzbekistan dhe në Islandë si dhe në pozita të zyrtarit politik, politik-ushtarak dhe ekonomik-komercial në Afganistan, Irak, Kosovë, Holandë, Japoni dhe Turqi.

Pozitat në Uashington përfshijnë shërbim në byronë e Departamentit të Shtetit për çështje evropiane, në byronë kundër terrorizmit, byronë politike-ushtarake, byronë për inteligjencë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nominuar për ambasador të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Ai është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore