Lajme

Kurti provon “shpejtësinë e internetit” në veri: Në Çabër është 140 Mbps – vitet ’24 dhe ’25 janë vite të Kosovës 5G


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi nëpërmjet një postimi në “Facebook” të martën se janë vendosur 15 stacione bazë të internetit nga Telekomi i Kosovës në pjesën veriore të vendit, derisa shtoi se shpejtësia e internetit në fshatin Çabër të Zubin Potokut – komunë e banuar me shumicë serbe – shkon deri në 140 megabit për sekondë.

“Telekomi i Kosovës udhëhiqet nga mbulimi dhe cilësia e shërbimit publik dhe jo thjesht nga përfitimi financiar vetjak. Komunikimet elektronike janë e drejtë dhe nevojë e qytetarëve të cilat Telekomi i Kosovës i bën mundësi dhe garanci për qytetarët. Vitet 2024 dhe 2025 janë vite të Kosovës 5G. Vala në çdo cep të shtetit, në çdo vend të Republikës”, tha ai.

Duke njoftuar për zëvendësimin në stacionin bazë të transmetimit në këtë pjesë, kreu i ekzekutivit kosovar deklaroi se për një montim të këtillë dikur u paguheshin nga 7500 deri 8500 euro kompanive private gjersa të punësuarit e në Telekomin e Kosovës nuk punonin. Tash, sipas tij, punëtorët e Telekomit të Kosovës instaluan edhe 15 stacione bazë në veri.

Ai ka shkruar tutje se Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, u ka bërë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve që të jenë gjithmonë në shërbim të publikut, por asnjëherë në shërbim të “oligarkëve që duan ta vazhdojnë rrjepjen dhe gjymtimin” e kompanisë kosovare të telekomunikacionit të transformuar në shoqëri aksionare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore