Lajme

Kurti përkujton të vrarët në Burim të Malishevës


Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen, në përkujtim të 42 civilëve të vrarë nga forcat serbe në Burim të Malishevës, më 31 mars 1999, tha se “duke përkujtuar të vrarët, përkujtojmë se sa i lartë ishte çmimi për lirinë tonë dhe se ku ndodhën rrënjët e shtetit që e gëzojmë”, derisa shpërndau disa fotografi nga homazhet në këtë vend.

“Para 25 vitesh, forca të ushtrisë dhe policisë serbe, te ‘Vrella e Mëhillit’ vranë dhe masakruan 42 civilë shqiptarë. Disa nga kufomat u gjetën të karbonizuara në rimorkio të traktorëve. Sot bëmë homazhe në Burim të Malishevës, në nderim të kujtimit të tyre”, shkroi kreu i ekzekutivit kosovar.

Kryeministri Kurti të dielen akuzoi gjithashtu Serbinë se vazhdon të mohojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ndërsa përmes një postimi në “Facebook” gjatë ditës, ai shtoi se mbi 950 shqiptarë janë nxjerrë nga pesë varreza masive në Serbi.

Serbia nuk i pranon krimet e luftës në Kosovë, nuk kërkon falje dhe nuk tregohet e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e civilëve të masakruar në periudhën 98-99.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore