Lajme

Kurti për zgjedhjet në Veri: Përgatitjet janë bërë me “aq sa mundemi” dhe “aq sa dimë”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në katër komunat në Veri janë bërë përgatitjet “aq sa dimë” dhe “aq sa mundemi” për mbajtjen e zgjedhjeve.

Kryeministri, i pyetur nga deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, se a do të ketë mundësi për zgjedhje të lira dhe demokratike në katër komunat në Veri, ka sqaruar se institucionet janë duke e bërë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ne bëjmë maksimumin e të gjitha obligimeve tona institucionale. Ofrojmë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, natyrisht më së shumti është dashur të përballemi me cenues të sigurisë pikërisht në veri të vendit, por unë jam i bindur në bazë të organeve dhe institucioneve shtetërore në të cilat unë besoj fuqishëm se janë duke i ofruar të gjitha kushtet dhe masat që të bëhet mbarëvajtja e këtij procesi”.

“Në të njëjtën kohë i bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që jetojnë në katër komunat në Veri që të dalin dhe të votojnë lirshëm”, ka thënë kryeministri.

Ai tutje në seancën e Kuvendit të Kosovës ka pohuar se situata në katër komunat në Veri sigurisht që nuk është e njëjtë sikurse në ato ku banojnë shumica shqiptare.

“A është situata sikurse në ndonjë komunë tjetër në Kosovë me shumicë shqiptare e njëjtë? Natyrisht që nuk është ka dallim sepse edhe obstruksionet e Serbisë janë atje më të madhe edhe në aspektin e informimit mediaktik, por edhe të mbetjeve të strukturave paralele të cilat janë trashëgimi e regjimit të Millosheviç-it, nga viti 1999 dhe ose nuk u integruan fare në 2013 ose u integruan rrejshëm, e më pastaj dhanë dorëheqje në nëntorin e vitit të kaluar”.

“Sa i përket shtetit të Republikës së Kosovës, ne natyrisht jemi në ballë të detyrës tonë dhe kërkojmë mbështetjen e qytetarëve për të drejtën demokratike të atyre në katër komunat në Veri”, deklaroi Kurti.

Më 10 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, kishte vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbaheshin me 18 dhe 25 dhjetor.

Arsyeja e shtyrjes së zgjedhjeve, sipas Osmanit, është niveli i rrezikshmërisë.

Osmani më tej kishte bërë të ditur se ka pranuar një raport të përbashkët të Policisë dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për vlerësim të nivelit të rrezikut në pjesën Veriore të vendit.

Zgjedhjet në Veri ishte paraparë që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar.

Dorëheqja e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në nivel politik dhe administrativ, erdhi meqë Qeveria fillojë implementimin e sekuencuar të vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që bartin targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Katër kryetarët e komunave veriore dorëheqjen e tyre e kishin dhënë të dielën e gjashtë nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore